Komisioni i Pavarur i Mediave cakton mbledhje për trajtimin e rastin e Klan Kosovës

Komisioni i Pavarur i Mediave ka caktuar mbledhje më 16 qershor për të trajtuar rastin e Klan Kosovës.

Kështu ka njoftuar KPM, e cila ka thënë se është vënë në dijeni se sot Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ia ka pezulluar certifikatën e biznesit shoqërisë tregtare “Klan Kosova SH.P.K”.

“Komisioni është duke e analizuar rastin konform Ligjit për KPM-në dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me dhënien e licencës dhe vlerësimin e aplikacioneve për licencë” – shkruan KPM.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë sot ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Televizioni Klan Kosova ka reaguar pas këtij vendimi duke e quajtur atë të të padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.