Foto: Ilustrim

Komisioneri i AAK-së dhe vëzhguesi i NISMA-s në një shkollë në Malishevë arrestohen për dhënie dhe marrje ryshfeti

Dy persona më saktësisht një komisioner dhe një vëzhgues në gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë janë arrestuar pasditen e sotme nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer vepër penale marrje dhe dhënie ryshfeti për blerje të votës.

KALLXO.com mëson se dy të arrestuarit janë familjar mes vete ndërsa janë angazhuar si komisioner dhe vëzhgues në dy parti të ndryshme politike në Malishevë, saktësisht nga AAK dhe NISMA.

Ata po dyshohen për shitblerje të votës, njëri po dyshohet se ka dhënë ryshfet e tjetri për marrje të ryshfetit për ta votuar një subjekt të caktuar politik.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me rastin në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.

Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 13 të ditës së sotme.

“Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:00. Është paraqitur me vonesë për media sepse është dashur që ta vërtetojmë veprën penale që u ngarkohet të dyshuarve. I kemi shikuar kamerat e sigurisë dhe më pas të dy të dyshuarit kanë pranuar veprën penale”, tha Buzhala për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me rastin.

Arrestimi i komisionerit dhe vëzhguesit në Malishevë nën dyshimet për mitmarrje – Detaje nga Prokuroria