Klubet sportive në Gjilan po kërkojnë lirimin e palestrës sportive, aty po vazhdon vaksinimi

Salla e sporteve në Gjilan tash e disa muaj është duke u shfrytëzuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në hapësirat e kësaj salle, qytetarët e Gjilanit janë duke i marrë vaksinat anti-COVID.

Ndonëse procesi i vaksinimit është duke vazhduar, klubet sportive në Gjilan po kërkojnë që Palestra Sportive “Bashkim Selishta” të iu vihet atyre në funksion.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunë të Gjilanit, Selami Xhemajli tha për KALLXO.com se i kishte premtuar klubeve që salla do të lirohet deri më datë 15 Gusht.

 

Mirëpo, ai thotë se nga Ministria e Shëndetësisë nuk i është bërë ende një zgjidhje, duke i thënë që nuk është përgjegjësi e Komunës ndërrimi i lokacionit.

“Kërkesa e parë ka qenë e jona që të na mundësohet që decentralizim i dhënies së shërbimeve të vaksinimit në Qendra të Mjekësisë Familjare sepse janë objekte ku menaxhohet nga kujdesi parësor shëndetësor dhe krahas ofrimit të shërbimeve të tjera shëndetësore të kryhet edhe procesi i vaksinimit, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje nga Komiteti për Imunizim”, tha Xhemajli.

Megjithatë, kërkesat nga Gjilani nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë. E këtë fakt Xhemajli e quan të pakuptimtë dhe shqetësuese.

“Është problem vërtetë shqetësuese për ne dhe vërtetë e pakuptimtë nga ana e Komitetit për Imunizim pse të paktën nuk jepet një arsyetim për çka nuk lejohet zhvendosja”, tha drejtori.

“Ndoshta një burokraci e brendshme në institucione që është trashëgu e po vazhdon te personat përgjegjës, në komunikim nëse jo kështu direkt po të paktën në shkresa të përgjigjen”, shtoi ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Gjilanit tha se në këtë palestër brenda ditës vaksinohen deri 1200 persona.