Foto: REL/MIA

Komuna e Gjilanit ankohet për vonesa të rezultateve të COVID-19

Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, ka thënë se Instituti i Shëndetit Publik që nga fillimi i dhjetorit do të fillojë të testojë mostrat në njësinë e tyre në Gjilan.

Xhemajli po ashtu është ankuar për vonesa të rezultateve të mostrave të testuara gjë që sipas tij po e pamundëson monitorimin e rasteve të dyshimta për COVID-19.

“Marrja e mostrave dhe mospublikimi i mostrave për rastet e dyshuara për 3-4 ditë po e vështirëson monitorimin e këtyre rasteve dhe janë faktorë potencialë të përhapjes së virusit. Edhe pse atyre iu rekomandohet izolimi në baza ligjore është vështirë të monitorohen. Nga fillimi i dhjetorit na është premtu nga Ministria që do ta kemi në njësinë e Institutit Rajonal aparatin PCR dhe testet do të kryhen në Gjilan e jo të vijnë mostrat në Prishtinë”, është deklaruar Xhemajli.

Ai ka treguar për kapacitetet si dhe si komunë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë Spitalin Rajonal me 100 shtretër nëse keqësohet situata me pandeminë në këtë komunë.

“Kemi rritje të numrit të infektimeve krahas rritjes së numrit të testimeve, kemi 1,717 persona të infektuar, kanë vdekur 58 persona ndërsa jemi në pritje të 130 mostrave për rezultate e kemi 43 persona të hospitalizuar. Ne që nga fillimi i pandemisë kemi respektuar masat që janë marrë nga Qeveria dhe besoj që kryetari është konsultuar. Janë 72 shtretër në Spitalin e Gjilanit por për dallim nga disa komuna, Gjilani personave të infektuar me COVID-19 terapinë ju jep në shtëpi me tri ekipe. Ne do t’i rrisim kapacitetet në Spitalin Rajonal të Gjilanit për 100 shtretër”, ka thënë Xhemajli.

 

Në emisionin Jeta në Komunë sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës. Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i komunës së Prizrenit.