FOTO: KALLXO.com

Xhemajli: Do ta ndihmojmë Spitalin e Gjilanit me 100 shtretër nëse përkeqësohet situata me COVID-19

Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, i ftuar në debatin “Jeta në Komunë” ka pasqyruar situatën me COVID-19 në komunën e Gjilanit.

Ai ka treguar për kapacitetet si dhe si komunë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë Spitalin Rajonal me 100 shtretër nëse keqësohet situata me pandeminë në këtë komunë.

“Kemi rritje të numrit të infektimeve krahas rritjes së numrit të testimeve, kemi 1,717 persona të infektuar, kanë vdekur 58 persona ndërsa jemi në pritje të 130 mostrave për rezultate e kemi 43 persona të hospitalizuar. Ne që nga fillimi i pandemisë kemi respektuar masat që janë marrë nga Qeveria dhe besoj që kryetari është konsultuar. Janë 72 shtretër në Spitalin e Gjilanit por për dallim nga disa komuna, Gjilani personave të infektuar me COVID-19 terapinë jua jep në shtëpi me tri ekipe. Ne do t’i rrisim kapacitetet në Spitalin Rajonal të Gjilanit për 100 shtretër”, ka thënë Xhemajli.

 

Në emisionin “Jeta në Komunë” sot është duke u diskutuar për situatën dhe menaxhimin e COVID-19 në komunat e Kosovës.

Të ftuar në debat janë Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan, Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë në Pejë, Visar Shehu, nënkryetar i Komunës së Prizrenit.