LDK qorton Qeverinë për menaxhimin e keq të pandemisë

Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se Qeverie e Kosovës, është duke menaxhuar keq situatën pandemike të COVID-19, se nuk ka marrë masa adapte dhe që masat e ndërmarra, po bëhen me vonesë.

Zyrtarët e LDK-së, kanë zgjedhur të bëjnë këto kritika, nëpërmes një konference për media, duke theksuar se janë të shqetësuar me përhapjen e shpejtë të coronavirusit në Kosovë, për çka ata konsiderojnë se fajtor është Qeveria që nuk po vepron konform seriozitetit dhe përmasave që po merr kjo sëmundje.

Shqipe Mjekiqi, Armend Agolli dhe Izet Sadiku, nga selia qendrore e LDK-së në Prishtinë, i quajtën masat e qeverisë “të vonuara” tash kur numri i të infektuarve ka arritur kulmin përderisa konsideruan se vetëm 10 për qind e popullatës janë vaksinuar me dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Izet Sadiku, në cilësinë e ekspertit të shëndetësisë brenda LDK-së, tha që sipas kalkulimeve nëse vaksinimi i qytetarëve vazhdon me këtë ritëm, deri në fund të vitit do të mund të vaksinohen vetëm 20 ose 30 për qind të popullatës, ndërsa premtimi i qeverisë ka qenë për 60 për qind.

Gabimi i qeverisë, sipas LDK-së, ka qenë lirimi i masave anti-COVID-19, përderisa varianti Delta i virusit po përhapej me shpejtësi në të gjithë rajonin, tha ai.

“Qeveria Kurti i ka bindë qytetarët që u kry pandemia. Kanë thënë që kemi vaksina boll, s’ka raste [të infektimit] më, shkoni nëpër dasma, nëpër lokale. E tash është vështirë që një popullatë e cila për dy muaj ka lëvizë krejt e lirë, tash me respektu masa restriktive”, është shprehur Sadiku.

Zyrtarët e LDK-së gjithashtu shprehën shqetësimin për mungesën e një fushate të vaksinimit marrë parasysh numrin e vogël të qytetarëve që janë vaksinuar më dy dozat.

Ata po e konsiderojnë të gabuar edhe mënyrën se si është organizuar vaksinimi.

“Do të duhej të kishte vaksinim masiv. Propozimi ynë është që duhet të bëhet decentralizimi i këtij procesi. Mos me pas më aplikime online, por të jepet vaksina në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare që njerëzit të kenë qasje të lirë në vaksinim”, ka thënë Sadiku.