Mitrovica e Jugut subvencionoi dy klube sportive me 20 mijë euro në kundërshtim me rregulloren

Dy klubet sportive, njëra e basketbollit ndërsa tjetra e zhytjes por që bartin të njëjtin emër “Trepça”, në vitin e kaluar u subvencionuan nga komuna e Mitrovicës së Jugut, në kundërshtim me rregulloren për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare.

Klubi i basketbollit “Trepça” kishte përfituar 5 mijë euro ndërsa Klubi e Zhytësve “Trepça” kishte marrë 15 mijë euro. Sipas Auditorit, këto subvencione u dhanë nga komuna përmes vendimeve të Kuvendit Komunal duke anashkaluar kriteret e Rregullores MF-Nr.4/2017.

“Rrjedhimisht me këta përfitues nuk janë nënshkruar marrëveshje dhe nuk janë kërkuar raporte kthyese financiare dhe narrative siç kërkohet me rregullore”, thuhet gjetjen e Auditorit.

Tutje në raport thuhet se nuk ka qenë e mundur të identifikohen shkaqet për anashkalim të procedurave. si pasojë e ndryshimeve të menaxhimit në komunë.

Sipas auditorit, subvencionimi i OJQ-ve duke anashkaluar Rregulloren, përveç që dëmton transparencën dhe besimin në Komunë, shfaqë mëdyshje se paratë e dhëna si subvencion do të shpenzohen për qëllime të lejuara, pasi që mungojnë marrëveshjet midis Komunës dhe përfituesit.

Auditori në raport tregon se Rregullorja e MF – NR – 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve përcakton kriteret, standardet dhe procedurat themelore për financimin publik të Organizatave Jo-Qeveritare, dispozitat e së cilës zbatohen nga çdo Organizatë Buxhetore, si dhe mënyrën e raportimit nga përfituesit e subvencioneve, që përfshin edhe raporte narrative dhe financiare.

Kryetarit të komunës iu rekomandua që të sigurohet që respektohet Rregullorja.

“Kryetari duhet që të sigurojë se për të gjitha subvencionimet e OJQ-ve që kualifikohen për t’u trajtuar sipas Rregullores së lartpërmendur të shpallet Thirrje Publike dhe të aplikohen kërkesat që rrjedhin nga kjo Rregullore”, rekomandon raporti.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 28 prill 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Jugut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.