Pajisje ushtarake ruse të shkatërruara në Donbas. Foto:GeneralStaff.ua/ Facebook

Kina dhe Bjellorusia bëjnë thirrje për armëpushim në Ukrainë

Presidentët e Kinës dhe Bjellorusisë u bashkuan në thirrjen për armëpushim dhe negociata që do të sillnin një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainë.

Kjo thirrje e përbashkët u bë gjatë takimit në Pekin midis liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, – aleatit të ngushtë të Rusisë – dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping.

Ky qëndrim është mbështetje për propozimin kinez për paqe prej 12 pikash që u prezantua javën e kaluar. Ky propozim bën thirrje që të respektohet integriteti territorial i të gjitha shteteve. Por, në dokument nuk thuhet se çfarë do të ndodhë me rajonet ukrainase që Rusia ka okupuar që nga nisja e pushtimit, e as nuk jep detaje se si duhet të zhvillohet procesi i paqes.

Propozimi kinez ka dështuar që të marrë mbështetje të madhe nga shtetet e tjera.

“Thelbi i qëndrimit të Kinës është të bëjë thirrje për paqe dhe të inkurajojë bisedimet… dhe që të respektohen shqetësimet legjitime të sigurisë të gjitha shteteve”, citohet të ketë thënë Xi, sipas transmetuesit shtetëror kinez, CCTV.

Në një referencë të qartë për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij, ai shtoi se “shtetet e rëndësishme duhet të ndalojnë së politizuari dhe së përdoruri ekonominë e botës si mjet të tyre, dhe të ndërmarrin masa që vërtetë do të çonin drejt një armëpushimi, të ndalin luftën dhe të zgjidhin kizën në mënyrë paqësore”.

Bjellorusia “pajtohet plotësisht dhe mbështet qëndrimin dhe propozimin e Kinës për zgjidhje politike për krizën në Ukrainë”, citohet të ketë thënë Lukashenka, sipas medias kineze.

Kina që një kohë të gjatë ka raporte të ngushta me Lukashenkën, dhe dy liderët nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha, nga agrikultura te doganat dhe në fushën e sportit.

Udhëtimi i liderit bjellorus në Kinë po ashtu shfaq lidhjet e ngushta të Pekinit me liderin rus, Vladimir Putin, dhe aleatët e tij.

Kina ka thënë se është palë neutrale në konflikt dhe ka mbajtur kontakte me Qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili me kujdes ka mirëpritur përfshirjen e Pekinit, por ka theksuar se suksesi varet nga veprat e jo fjalët.

Pavarësisht kësaj, Kina ka thënë se ka “miqësi pa kufi” me Rusinë dhe ka refuzuar që ta kritikojë pushtimin e nisur nga Moska, dhe madje ka refuzuar që ta quajë pushtim.

Pekini po ashtu ka akuzuar SHBA-në dhe NATO-n se ka provokuar konfliktin dhe për “fryrje të zjarrit” duke i ofruar Ukrainës armë. Kina po ashtu ka dënuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe entiteteve që kanë ndihmuar Moskën në përpjekjet e saj ushtarake, përfshirë edhe kompani kineze.

Ndërkaq, Qeveria e Lukashenkës ka mbështetur fuqishëm Moskën dhe ka lejuar që të përdoret territori bjellorus për nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022./REL