KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.

Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

“Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.

Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Aktualisht në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, po ashtu nga Lëvizje Vetëvendosje.

Pas thirjeve për hapje të urës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano ka thënë, po ashtu, se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano të premten.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Kundër hapjes së urës ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”./REL