(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Këshilltari i presidentes Osmani: Beogradi mban përgjegjësinë e plotë për çdo eskalim në veri të Kosovës

Në lidhje me tensionet në veri të vendit ka reaguar këshilltari i presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Ai ka thënë se për çdo eskalim të situatës përgjegjëse është Serbia.

Sipas këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Serbia ka udhëzuar strukturat e saj ilegale që të vendosin barrikada në veri të Kosovës.

“Anëtarët e të ashtuquajturës ‘Mbrojtja civile” dhe disa ish-policë të Kosovës, të cilët dhanë dorëheqje në nëntor 2022, po menaxhojnë barrikadat” – ka shkruar Blerim Vela në Twitter.

Tensionet në veri të vendit janë rritur sot pasdite, sidomos pas njoftimit se Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin, ish-polic i Kosovës, i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste dhe për cenim të rendit kushtetues.

Pas arrestimit të tij, serbë të veriut janë grumbulluar, duke bllokuar rrugët kryesore.

Policia ka njoftuar se afër pendës së Liqenit të Ujmanit një njësi policore është sulmuar nga një grup personash me armë zjarri.

Pjesëtarët e Policisë u janë përgjigjur me zjarr dhe grupi ka ikur në drejtim të panjohur.