KPK me njoftim rreth garës për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes njoftimit për media, ka bërë të ditur se më 6 dhjetor 2023, është mbajtur takimi i Komisionit për Rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ky komision kryesohet nga anëtarja e Këshillit Prokurorial, Jehona Grantolli, në përbërje të të cilit janë edhe dy anëtarë të tjerë të KPK-së: Arjana Shajkovci dhe Armend Zenelaj.

Komisioni ka mbajtur takim për t’i trajtuar kundërshtimet e kandidatëve për Kryeprokuror të PSRK-së.

Në këtë takim morën pjesë në cilësinë e monitoruesve përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, EULEX-it, EUKOJUST-it dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë, thuhet në njoftimin e KPK-së.

“Komisioni për Rishqyrtim, pas trajtimit të sotëm që u bëri kundërshtimeve të kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, do të përgatisë raport për KPK-në, i cili do të trajtohet në takimin e radhës së KPK-së. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të njoftojë me kohë për procedurat e tjera të procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së’’ – thuhet në njoftim.

Kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, janë si në vijim: Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 17 nëntor 2023, kishte konfirmuar listën e kandidatëve për këtë pozitë. 

Ndërsa, në mbledhjen e mbajtur më 13 tetor 2023, Këshilli Prokurorial e kishte miratuar hapjen e konkursit për pozitat e Kryeprokurorit të Prokurorisë themelore dhe Speciale të Prishtinës.