Kërkohet caktimi i masës së paraburgimit për drejtorin e 'Visametric'

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e kompanisë “Visametric”, S.O shtetas turk.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj e cila tha se për pak pritet të fillojë seanca dëgjimore në departamentin e përgjithshëm.

Gjatë ditës së djeshme pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i “Visametric”, Prokurorja e Shtetit e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh.

S.O., po dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, kishte njoftuar avokati Flamur Abdullahu.

Kjo shumë është paguar nga të gjithë aplikantët në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

Vendimin e gjykatës, “Visametric” e kishte apeluar. Por shkalla e dytë e gjykatës refuzoi ankesën e kompanisë si dhe rikonfirmoi vendimin e shkallës së parë për ndalimin e detyrimit të aplikantëve që të paguajnë shërbimin postar prej 30 euro, për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Ndonëse nga kompania kishin deklaruar se do ta respektojnë vendimin, ka pasur raportime nga qytetarët se e njëjta nuk po ndodhte.

“Visametric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.

Ndalohet për 48 orë drejtori i ‘Visametric’-ut