Drejtoria e Policisë Tiranë. FOTO: Policia e Shtetit/Facebook.

Kërcënonte me jetë fëmijët dhe gruan, i gjendet arsenal armësh brenda banesës në Gramsh

Policia e Shtetit ka arrestuar një 53 vjeçar në fshatin Grabovë të Gramshit, nën dyshimin se kishte kanosur me armë zjarri bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Policia në banesën e familjes ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh të përbërë nga pesë armë zjarri, një armë gjahu dhe municion luftarak.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas njoftimit se  një shtetas që banonte në fshatin Grabovë e Sipërme, kërcënonte bashkëshorten dhe fëmijët se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë”- thuhet në njoftim.

53 vjeçari me inicialet Gj. S. kishte precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e vjedhjes.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grabova”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. S., 53 vjeç, banues në fshatit Grabovë e Sipërme, Gramsh, me precedent të mëparshëm kriminal, në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e vjedhjes. Shërbimet e Policisë gjetën nl banesë dhe sekuestruan një arsenal armësh që posedonte ky shtetas, të përbërë nga 5 armë zjarri, 1 armë gjahu dhe municion luftarak”- bëhet e ditur në njoftim.

Policia thotë se nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.