Foto nga media serbe Kurir.rs
Kelani: Tre policët janë zyrtarë kufitarë patrullues, nuk janë të njësiteve speciale
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur që tre zyrtarët policorë të kidnapuar sot janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe jo zyrtarë të njësiteve speciale.
Kelani i ka quajtur të rrejshme deklarimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq lidhur me këtë çështje.
Ai ka deklaruar se policët e kidnapuar janë të moshës rreth 50 vjeç apo mbi.
“Ata janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale, pra është një deklraim i rrejshëm i palës serbe. Ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeçar apo edhe mbi. Që kanë shërbyer për vite me radhë në Policisë e Kosovës”- ka thënë ai.
Kelani ka thënë se janë të bindur që pjesa ku janë gjendur policët është thellë brenda territorit të Kosovës.
“Është brenda në territorin e Kosovës dhe për të hetuar kemi dërgu njësitë tona, kemi njoftu mekanizmat ndërkombëtarë, KFOR-in që është përgjegjës për zonën kufitare, që të kryejmë detyrat bashkërisht. Është territor që mbulohet me zyrtarë policorë patrullës por sipas nevojës edhe me zyrtarë shtesë”- ka thënë ai.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, po pretendon se tre zyrtarët policorë që dyshohet se u kidnapuan nga policia serbe u gjetën në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Ai tha se pjesëtarët e policisë serbe nuk e kanë shkelur territorin e Kosovës dhe as rezolutën 1244.
Sipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.
Petkoviq pretendon se zyrtarët policorë të Kosovës u arrestuan në afërsi të Rashkës në Serbi