Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë, Policia arreston 3 persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona nën dyshimin për dhunë në familje në 4 raste të ndryshme në 24 orët e fundit.

Dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Suharekë, një rast në Prizren dhe një rast në Malishevë.

Një grua në Suharekë ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga burri i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me konsultim të prokurorit të shtetit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje po ashtu ka ndodhur në Suharekë dje rreth orës 16:15. Policia ka njoftuar se ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur babanë e tij.

Ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje rreth një konteksti pronësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dhunë në familje është raportuar edhe në Prizren. Dy gra kanë raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje që kanë pasur me një tjetër grua janë sulmuar nga e njëjta dhe një burrë i cili kishte ardhur ndërkohë në vendin e ngjarjes.

Lidhur me rastin Policia njofton se viktimave i’u është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti vazhdon të hetohet.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për dhunë në familje. Ngjarja kishte ndodhur me 3 gusht 2021 ndërsa i dyshuari është arrestuar dje.

Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij. Pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.