Kaq aktgjykime publikuan gjykatat e Kosovës në muajin prill

Gjykatat e Kosovës kanë vazhduar me publikimin e aktgjykimeve edhe gjatë muajit prill 2020, përkundër situatës në të cilën gjendet vendi për shkak të pandemisë.

Gjatë muajit prill të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë publikuar gjithsej 698 aktgjykime, çka përbën një rënie krahasuar me muajin paraprak, kur ishin publikuar 1,159 aktgjykime.

Rënia e numrit ka të bëjë me punën me kapacitete të reduktuara të gjykatave të Kosovës për shkak të situatës emergjente.

Gjykata Themelore e Prishtinës vazhdon të prijë me aktgjykime të publikuara, me gjithsej 255.

Pas saj vjen Gjykata Themelore e Prizrenit që ka publikuar 244 aktgjykime.

E treta është Gjykata Themelore e Ferizajt. Kjo Gjykatë në muajin prill ka publikuar gjithsej 105 aktgjykime.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Luan Berisha, është gjyqtari që  ka publikuar më së shumti aktgjykime gjatë muajit prill  2020, gjithsej 82.

Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve.

Gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Në vazhdim janë të dhënat në formë grafike për publikimin e aktgjykimeve që janë realizuar nga të gjithë gjykatat, gjatë muajit prill 2020:

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 prill – 30 prill 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 725 aktgjykime, që i bie të jenë 27 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të dy aktgjykimeve të dyfishuara si dhe publikimit të aktvendimeve.

Edhe gjatë muajit prill është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes, kanë dalë në pension apo janë suspenduar. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit prill.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.