Gjykatat e Kosovës rrisin numrin e aktgjykimeve të publikuara

Gjykatat e Kosovës kanë vazhduar me publikimin e aktgjykimeve edhe gjatë muajit qershor 2020.

Gjatë muajit qershor të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë publikuar gjithsej 1,630  aktgjykime, çka përbën ngritje – dyfishim, krahasuar me muajin paraprak, kur ishin publikuar 802 aktgjykime.

Gjykata Themelore e Prishtinës vazhdon të prijë me aktgjykime të publikuara, me gjithsej 451 çka përbën po ashtu rritje prej mbi 42% krahasuar me muajin maj.

Pas saj, vjen Gjykata Supreme e Kosovës që ka publikuar 277 aktgjykime e kjo përbën rritje prej 214% krahasuar me muajin maj ku ishin publikuar 88 aktgjykime.

E treta është Gjykata e Apelit që gjatë muajit qershor ka publikuar 242 aktgjykime e kjo shifër përbën rritje prej 290% krahasuar me muajin maj ku ishin publikuar 62 aktgjykime.

Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Nebojsha Boriçiq, është gjyqtari që ka publikuar më së shumti aktgjykime gjatë muajit qershor 2020, gjithsej 63 aktgjykime.

Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve.

Gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Në vazhdim janë të dhënat në formë grafike për publikimin e aktgjykimeve që janë realizuar nga të gjithë gjykatat, gjatë muajit qershor 2020:

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 qershor – 30 qershor 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 1633 aktgjykime, që i bie të jenë 3 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të 3 aktgjykimeve të dyfishuara.

Edhe gjatë muajit qershor është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes apo kanë dalë në pension. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit qershor.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.