Mbi 24 mijë aktgjykime të gjykatave të Kosovës të çasshme për publikun

Nga janari 2016, sipas Ligjit mbi gjykatat, të gjitha gjykatat u obliguan që të publikojnë aktgjykimet brenda 60 ditëve nga marrja e vendimit. Duke klikuar në faqen e Këshillit Gjyësor të Kosovës – www.gjyqesori-rks.org – të gjithëve i’u mundësohet qasja në më shumë se 24 mijë aktgjykimeve të natyrës penale, civile, komerciale, dhe administrative.

Në maj të vitit 2019, Lëvizja FOL dhe BIRN Kosova, me përkrahjen e Programit të USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë (USAID/JSSP), filluan monitorimin e publikimit të aktgjykimeve për të gjitha gjykatat e Kosovës. Ky monitorim ka si qëllim që të mbledh informacione dhe të vlerësoj nëse gjykatat po respektojnë këtë standard, dhe në veçanti Ligjin për Gjykata, Udhëzimin Administrativ për Anonimizimin e Aktgjykimeve, dhe Vendimin për Standardizimin e Aktgjykimeve. Përmes këtij monitorimi dhe raportimit të të dhënave, ne synojmë që t’i njoftojmë dhe rrisim vetëdijesimin e qytetarëve rreth punës së gjyqësorit, e njëkohësisht të ndihmojmë ngritjen e besimit të qytetarëve ndaj gjykatave.

Numri i aktgjykimeve të publikuara konsiderohet si një nga treguesit më të rëndësishëm të transparencës së një gjykate dhe gjyqësorit në përgjithësi. Nga janari 2016 – 30 prill 2019, gjykatat e Kosovës publikuan vetëm 8,983 aktgjykime.

Nga fillimi i monitorimit në muajin maj 2019 e deri në shkurt të vitit 2020, brenda dhjetë muajve, gjykatat e Kosovës kanë publikuar 14,510 aktgjykime, apo mesatarisht rreth 1,400 aktgjykime për muaj.[1]

Rritja e publikimit të aktgjykimeve u vërejt sidomos në fazën e dytë të monitorimit nga muaji dhjetor 2019 deri në muajin shkurt 2020, ku gjykatat e Kosovës kanë publikuar mbi 2,000 aktgjykime për muaj – rritje kjo e paparë më herët në gjykatat tona.

Gjatë muajit dhjetor 2019, gjithsej u publikuan 2,526 aktgjykime; gjatë muajit janar 2020, u publikuan 2,173, kurse gjatë muajit shkurt 2020,  2,090 aktgjykime u publikuan në faqen e internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Këto shifra tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të aktgjykimeve të publikuara vetëm gjatë tre muajve duke ndikuar që numri total të publikimit të aktgjykimeve nga gjykatat e Kosovës të  arrijë në 23,753.

Përpos rritjes së numrit të aktgjykimeve të publikuara, është rritur edhe respektimi i ligjit dhe udhëzimeve rreth çështjes në fjalë nëse e krahasojmë me fazën e parë të monitorimit maj-nëntor 2019. Këto përmirësime vërehen në rastet e zvogëlimit të numrit të publikimit të aktgjykimeve të pa-anoniminuzuara, rritja e numrin e aktgjykimeve të publikuara për rastet e korrupsionit dhe dhunës në familje si kategori të veprave penale që përbejnë interes më të shtuar për publikun.

Përgjatë muajit dhjetor 2019 – shkurt 2020, ka pasur rritje në numrin e aktgjykimeve të publikuara për veprat penale të korrupsionit ku gjithsej janë publikuar 33 aktgjykime, krahasuar me periudhën maj-nëntor 2019, ku vetëm brenda gjatë shtatë muajve gjykatat publikuan vetëm 61 aktgjykime të kësaj natyre.

E njëjta vlen edhe për aktgjykimet në lidhje me veprat penale me bazë në dhunë gjinore dhe krimit të organizuar, për të cilat gjykatat publikuan 74 aktgjykime dhe 21 aktgjykime respektivisht.

Gjatë periudhës së lartpërmendur përmirësime janë vërejtur edhe në respektimin e rregullave për anonimizimin e aktgjykimeve ku gjykatat kanë publikuar vetëm 65 aktgjykime të pa-anonimizuara.

Në anën tjetër, sa i përket aplikimit të Shabllonit për Standardizimin e Formave të Aktgjykimeve ende ka ngecje nga gjykatat e Kosovës. Nga muaji dhjetor 2019 – shkurt 2020, nga 6,790 aktgjykime të publikuara, 1,082 prej tyre, apo 16% e aktgjykimeve janë publikuar duke mos e respektuar këtë shabllon.

Kur flasim për rritjen e publikimit të aktgjykimeve për gjykata, shohim se Gjykata Themelore e Prishtinës në mënyrë drastike ka rritur numrin e publikimit në raport me periudhën e mëparshme, duke prirë kështu dukshëm krahasuar me gjykatat tjera të Republikës së Kosovës. Kjo gjykatë gjatë muajve dhjetor 2019 – shkurt 2020 ka publikuar 1,842 aktgjykime, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 1,365, dhe ajo e Mitrovicës me 759 aktgjykime.

Nëse e llogarisim numrin e publikimit të aktgjykimeve prej vitit 2016 e deri më tash, shohim që Gjykata e Prishtinës prinë për nga numri i aktgjykime të publikuara, me gjithsej 4,534, pasuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit me 4,410, dhe ajo e Ferizajt me 3,444.

Në anën tjetër edhe numri i gjyqtarëve të cilët po publikojnë aktgjykime është rritur. Në shkurt të vitit 2020, 58% e gjyqtarëve të Kosovës kishin aktgjykime të publikuara, krahasuar me vetëm 27% në maj të vitit 2019. Gjatë periudhës dhjetor 2019 – shkurt 2020, me publikim të aktgjykimeve prijnë gjyqtarët Luan Berisha nga Gjykata Themelore në Prizren, me 189 aktgjykime të publikuara; Branka Semenov nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 86 aktgjykime; dhe  Diana Sina nga Gjykata Themelore e Gjakovës, me 84 aktgjykime të publikuara.

Në përgjithësi, gjykatat e Kosovës kanë shënuar një rritje të vazhdueshme të publikimit të aktgjykimeve duke shndërruar kështu Portalin Gjyqësor në njërën nga databazat më të mëdha të vendimeve të institucioneve të bëra publike. Përveç përkushtimit të gjyqësorit, kjo rritje po ashtu mund të i atribuohet edhe monitorimit mujor nga programi i USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë bashkë me Lëvizjen FOL dhe BIRN Kosova, që ka shërbyer si nxitje për zyrtarët brenda gjykatave dhe poashtu kryetarëve të gjykatave.

[1] Gjatë monitorimit në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga muaji maj 2019 – shkurt 2020, në total janë publikuar 14,828 aktgjykime, apo 318 më shumë se ato që kemi shënuar në bazën e të dhënave. Dallim ky si rrjedhojë e publikimit të aktvendimeve si dhe aktgjykimeve të dublifikuara nga ana e gjykatave.