Kanosja ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Prizren, arrestohet edhe i dyshuari i dytë

Gjersa ishin për vizitë në fshatin Lubiqevë të Prizrenit, disa pjesëtarë të KFOR-it italian janë kërcënuar sot më 26.02.2024 me jetë nga dy persona. Lidhur me këtë rast Policia ka arrestuar një të dyshuar, kurse për të dytin u tha se është në kërkim.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se tashmë kanë vënë në pranga edhe të dyshuarin e dytë dhe se të njëtit tashmë janë në ndalim për 48 orë.

Bytyqi ka shpjeguar se cilat ishin veprimet e Policisë menjëherë pasi kanë pranuar informacionin për kanosje ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ai thotë se patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët.

Karabinierët kanë deklaruar se derisa ishin duke qëndruar në një lokal në fshat, dy të dyshuarit fillimisht u janë afruar duke i ofenduar e më pas njëri nga ta i ka kanosur me vrasje.

“Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët  të cilët kanë deklaruar se për deri sa ishin duke qëndruar në një lokal aty në fshat, të dyshuarit afrohen fillimisht duke i ofenduar e me pas njëri nga të dyshuarit i ka kanosur me vrasje, duke ju thënë se “do shkoj në shtëpi të marr Kallashnikovin dhe do ju vras të gjithëve””- ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Policisë thotë se së pari është arrestuar një person, ndërsa më vonë edhe i dyshuari i dytë.

Bytyqi njoftoi se janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, teksa në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur një pushkë dhe municion.

Pas intervsitimit, me urdhër të prokurorit të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.