Avdullah Hoti - Foto: Facebook

Kandidati i LDK-së për Kryeministër, njeriu i 12-të më i votuar në vend

Avdullah Hoti kandidati i LDK-së i propozuar sot për kryeministër të Kosovës është njeriu i 12-të më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Hoti ka fituar më pak vota sesa të gjithë ish-kandidatët për kryeministër në këto zgjedhje.

Hoti ka marrë 26,094 vota pra 7 herë me pak sesa kryeministri aktual, Albin Kurti i cili është edhe njeriu më i votuar në Kosovë me 183,952 vota.

Edhe bashkpartiakja Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ishte kandidate për kryeministre ka fituar rreth 7 herë më shumë vota sesa Hoti, ajo ka marrë 176,016 vota në total.

Lideri opozitar, Kadri Veseli është njeriu i tretë më i votuar në Kosovë me 145,881 vota, pra 119,787 vota më shumë sesa Hoti.

Edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj është votuar më shumë sesa Hoti në zgjedhjet e fundit, ai ka marrë 76,163 vota.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka më shumë vota sesa kandidati i LDK-së për kryeministër. Konjufca ka marrë 72,686 vota, që i bie 46,592 vota më shumë se Hoti.

Gruaja e dytë me e votuar në Kosovë,  Albulena Haxhiu e cila tani është ministre e Drejtësisë po ashtu ka më shumë vota sesa Hoti, ajo në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 46,831.

Bashkpartiaku i Hotit, i cili po ashtu ishte përmendur si emër në kryesin e LDK-së për të kandiduar për kryeministër, Kujtim Shala ka marrë 38,921 vota.

Ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ishte njeriu i tretë më i votuar në partinë e Isa Mustafës. Ai në zgjedhjet e 6 tetorit kishte marrë 31,731 vota.

I katërti kandidat më i votuar i LDK-së ishte ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku me 29,531 vota.

Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka marrë 28,188 apo 2,094 vota më shumë sesa Hoti.

Kurse ministri aktual i Shëndetësisë Arben Vitia kishte marrë 10 vota më shumë sesa Hoti, Vitia në zgjedhjet e fundit ka marrë 26,106 për dallim nga Hoti që ka marrë 26,94 vota.

Sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mandatarin për formimin e qeverisë.

LDK-ja pas mbledhjes së Kryesisë ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidatë për kryeministër të Kosovës në kuadër të kësaj partie.

Ditë me parë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është deklaruar se Këshilli i Përgjithshëm e kësaj partia ka vendosur pro koalicionit me  Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate (NSD), Aleancën Kosova e Re (AKR), si dhe subjektet e pakicave.

Kjo iniciativë për formimin e qeverisë së re ka ardhur pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti më 25 mars. LDK-ja e cila ishte edhe partnere e këtij koalicioni kishte iniciuar mocion për shkak të mospajtimeve për tarifën si dhe shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.