Avdullah Hoti - LDK

Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas mbledhjes së kryesisë ka vendosur që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër.

Kështu ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në konferencë për media.

“Ne kemi diskutuar për Avdullah Hotin, Kujtim Shalën, Lufti Haziri dhe me vullnetin e të gjithëve jemi pajtuar që Avdullah Hoti të propozohet për kryeministër”, tha Mustafa.

Mustafa ka thënë që ai ka qenë i propozuar mirëpo nuk e ka pranuar këtë detyrë për shkak të gjendjes shëndetësorë.

“Ishte një kërkesë e anëtarëve që unë ta marrë përgjegjësinë në këtë kohë, sepse ata e konsideronin si vullnet, unë e arsyetova para kryesisë që nuk jam në gjendje ta marrë këtë përgjegjësi, por duke u nisur nga nevoja që unë akoma të kujdesem për shëndetin tim e luta kryesinë që të kenë mirëkuptim ndaj meje”, tha ai.

Ky propozim i LDK-së, vie pasi që partia fituese LVV për herë të 5 të nuk i ishte përgjigjur kërkesës së presidentit Thaçi për mandatarin, kurse ky i fundit pas një takimi konsultativ me partitë politike dje ka deklaruar se ia ofron mandatarin partisë që dëshmon shumicën në Kuvend.