Kamenicë, parandalohet një rast i kontrabandës së mallrave nga Serbia

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë parandaluar një rast kontrabande me mallra nga Serbia në Karaqevë e Epërme të Kamenicës.

Sipas një komunikate për media, është identifikuar dhe ndaluar një furgon “VW LT”, ngjyrë e bardhë, me targa vendore, drejtuar nga një i dyshuar.

“Me datë 20.12.23  njësitet e lartcekura pas pranimit të informatës nga burimet relevante se janë duke u sjellë mallra të kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës përmes rrugëve ilegale. Nga njësitet e lartcekura në fshatin Karaqevë e Epërme-Kamenicë është arrit të identifikohet dhe ndalohet automjeti VW LT furgon ngjyrë e bardhë me targa vendore drejtuar nga dyshuari m/k”- thuhet në njoftim.

Policia njofton se gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari kishte pasur të ngarkuar në automjet foli plastike (ambalazh) rreth 1005 kg, për të cilën nuk kishte asnjë dokument.

Sipas mbishkrimeve, Policia thotë se malli dyshohet se ishte me origjinë nga Serbia dhe se vlera e mallit sipas tregut është mbi 13 mijë euro.

Më tej, Policia thekson se lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me ç’rast me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar sekuestrohet dhe dërgohet në terminalin doganor për procedura të mëtejme.