Shaip Kamberi në takim me Besnik Bislimin. FOTO: Shaip Kamberi, Facebook.
Kamberi dhe Bislimi diskutojnë për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës
Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, është mirëpritur në takim nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, siç ka thënë ai, për të diskutuar pozitën e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës.
Kamberi bëri të ditur se përpos situatës politike në Luginën e Preshevës ai e ka njoftuar Bislimin për katër propozime ligjore që synojnë të krijojnë mekanizma ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.
“Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë ato jashtë rendit të ditës. Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave, dhe ndryshimin e Rregullores së punës së parlamentit” – ka shkruar Kamberi në Facebook.
Sipas tij, edhe pse procedurat parlamentare janë kaluar, këto çështje po përmbyten në debat.
Kamberi ka bërë të ditur se temë diskutimi mes tyre ka qenë edhe domosdoshmëria për zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve nga Lugina e Preshevës që punojnë në Kosovë.
Për këtë, ai u shpreh se është informuar se kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt.
“Gjithashtu, fakenderova z. Bislimin për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për hapat e ndërmarrë për të adresuar çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke ofruar mbështetje financiare dhe duke theksuar rëndësinë e mospranimit të trajtimeve të dyfishta të pakicave në rajon” – ika shkruar ndër të tjera Kamberi.
Disa ditë më parë Bislimi kishte thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve është përhapur në mënyrë alarmante në institucionet shëndetësore të Serbisë.
Sipas tij, shqiptarët po përballen me dekada me këtë diskriminim, teksa ka shtruar pyetjen: “Ende në kërkim të pakicës më të shtypur në Evropë?”.
Bislimi kishte theksuar se nga 1316 punonjës në Spitalin rajonal në rrethin e Vranjës, asnjë punonjës nuk është shqiptar.
“Asnjë shqiptar nuk ka qenë në krye të asnjë institucioni shëndetësor vendor që nga viti 2021 kur u shkarkua drejtori në Preshevë, ku 93% e popullsisë janë shqiptarë. Rreth 18 persona punojnë në Institutin e Shëndetit Publik në Vranjë, por asnjë nuk është shqiptar. Në Medvegjë nuk ka asnjë punonjës shqiptar nga 68 në qendrën shëndetësore”- kishte shkruar ai në rrjetin social X (ish-Twitter).