Bislimi: Nga 1,316 punonjës në Spitalin e Vranjës, asnjë punonjës nuk është shqiptar
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve është përhapur në mënyrë alarmante në institucionet shëndetësore të Serbisë.
Sipas tij, shqiptarët po përballen me dekada me këtë diskrimin, teksa ka shtruar pyetjen: “Ende në kërkim të pakicës më të shtypur në Evropë?”.
Bislmi më tej ka thënë se nga 1316 punonjës në Spitalin rajonal në rrethin e Vranjës, asnjë punonjës nuk është shqiptar.
“Pavarësisht se 30% e popullsisë që merr shërbime shëndetësore është shqiptare” – ka shkruar Bislimi në rrjetin social X (ish-Twitter).
Zv.kryeministri ka vazhduar duke thënë se asnjë shqiptar nuk ka qenë në krye të asnjë institucioni shëndetësor vendor që nga viti 2021 kur u shkarkua drejtori në Preshevë, ku 93% e popullsisë janë shqiptarë.
“Asnjë shqiptar nuk ka qenë në krye të asnjë institucioni shëndetësor vendor që nga viti 2021 kur u shkarkua drejtori në Preshevë, ku 93% e popullsisë janë shqiptarë. Rreth 18 persona punojnë në Institutin e Shëndetit Publik në Vranjë, por asnjë nuk është shqiptar. Në Medvegjë nuk ka asnjë punonjës shqiptar nga 68 në qendrën shëndetësore”- ka shkruar ai në “X”.