Kalojnë gati 2 vjet nga nënshkrimi i kontratës, pluhuri dhe rruga e paasfaltuar bëhen problem për banorët (FOTO)

Kanë kaluar gati 2 vjet që nga nënshkrimi i kontratës në vlerë mbi 1 milion euro për projektin “Rikonstruktimi i rrugës Hasan Mekuli dhe Kadri Osmani (ish-rruga “Enver Miftari”)” në Gjilan, por ende banorët e rrugës “Kadri Osmani”, e cila lidhë rrugën qarkore me rrugën te kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës, detyrohen çdo ditë në kohë me diell të durojnë pluhurin që ngritet nga veturat që kalojnë aty dhe baltën e gropat me ujë që krijohen kur moti është me shi.

Kjo rrugë ka qenë e dëmtuar pjesërisht për më shumë se 10 vjet sipas banorëve por vitet e fundit ajo është e dëmtuar plotësisht.

Banorët ankohen se rruga me gropa dhe e paasfaltuar po ua dëmton edhe veturat.

“Ne si banorë shumë shpesh duhet të përdorim rrugë alternative për të shkuar në banesë ose shtëpi, sepse kjo rrugë është me shumë gropa dhe po na shkakton edhe dëmtime të veturave”, ka thënë Syart Rrahmani, banor në rrugën “Kadri Osmani”.

Pluhuri që krijohet përgjatë rrugës nga qarkullimi i automjeteve konsiderohet ndër problemet kryesore.

“Neve banorëve të lagjes po na dëmton pluhuri. Për neve më i dëmshëm është ky pluhur se COVID-19 që aktualisht ekziston”, ka potencuar Rrahmani.

Nga Komuna e Gjilanit kanë thënë për KALLXO.com se ka filluar përgatitja për asfaltimin e kësaj rruge.

“Arsyeja pse ka mbetur kështu është mos planifikimi i buxhetit të nevojshëm për këtë vit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, për këtë vit janë paraparë vetëm 200 mijë euro”, ka thënë Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike në Gjilan.

Asfaltimi i kësaj rruge është pjesë e projektit “Rikonstruktimi i rrugës Hasan Mekuli dhe Kadri Osmani (ish-rruga Enver Miftari)”, e cila ka kosto prej 1 milion e 92 mijë e 991 euro.

Kompania e cila është përzgjedhur për të kryer punët në këtë rrugë është “EL-BAU”.

Foto: Rruga “Osman Kadriu” (ish-rruga Enver Miftari) në Gjilan
Foto: Rruga “Osman Kadriu” (ish-rruga Enver Miftari) në Gjilan