Kacafytja që përfundoi me therje me thikë në Deçan, prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit 

Një 45 vjeçar me inicialet E. B., është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të tentim vrasjes.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se E. B. dyshohet se theri me thikë viktimën I. T.

Ngjarja sipas Prokurorisë dyshohet se ndodhi më 11.02.2024, brenda një lokali ushqimor në Deçan.

Dosja përshkruan se fillimisht i dyshuari deri sa ishte duke konsumuar pije brenda në lokal ka filluar një kacafytje me viktimën, duke eskaluar në përleshje fizike e cila përfundoi me therje me thikë.

Viktima kishte pranuar lëndime në pjesën e barkut ndërsa dy persona të tjerë ndërhyjnë në rast për të ndarë të dyshuarin dhe viktimën.

Pas këtyre veprimeve të cilat dyshohet se ka kryer 45 vjeçari, dosja thotë se i njëjti ishte arratisur nga vendi i ngjarjes për t`u arrestuar më 12.02.2024.

Viktima fillimisht ishte dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, më pas me autoambulancë ishte transferuar në Spitalin e Pejës.

Me gjitha këto veprime, në bazë të dosjes hetimore, E. B., po dyshohet për vrasje të mbetur në tentativë.

Ai është arrestuar më 12.02.2024 rreth orës 10:00 dhe nga ajo kohë është në ndalim policor për 48 orë më urdhër të prokurorit të shtetit.

Ndaj tij Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, konkretisht atë të paraburgimit.

Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit, prokuroria thekson se i dyshuari nëse lihet të mbrohet në liri mund të ndikojë në të dëmtuarin dhe dëshmitarët por edhe në faktin se ai pasi dyshohet se ka kryer therjen me thikë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria pretendon se të njëjtin veprim (ikjen) mund ta bëj edhe gjatë kohës sa ai hetohet në procedurë të lirë.