Foto: ZKM

Kabineti qeveritar mban një minutë heshtje për nder të viktimave të tërmetit në Turqi e Siri

Mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës ka filluar me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri.

Kryeministri Albin Kurti në emër të kabinetit qeveritar ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.

Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi.

“Mbi bazën e kapaciteteve tona do të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontingjenti i FSK-së, mjekësi emergjente e njësite të K9, tashmë është në zonat e goditura nga tërmeti. Në shenjë solidarizimi dita e sotme në Kosovë është ditë zije. I nderuar kabinet qeveritar ju ftoj për 1 minutë heshtje”- ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur 8 shkurtin ditë zie në Kosovë për viktimat nga tërmeti në Turqi.

“Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar” – ka shkruar presidentja Osmani.

Tërmeti me magnitudë 7.8 shkallësh të Rihterit që ka goditur shtetin turk dhe sirian më 6 shkurt 2023 ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Ekipet e shumta të kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në rajone të ndryshme që janë goditur.

Mbi 9,000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis.

Një kontigjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i 6 shkurtit.