Presidentja Osmani pranon letër falënderimi nga presidenti i Turqisë Erdogan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër falënderimi nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për tërmeteve shkatërruese në Turqi.

“Do të doja t’ju falënderoja në emër të kombit tim dhe emrin tim personal që keni ndarë dhimbjen tonë dhe keni dhënë mbështetje në një kohë të shkurtër duke dërguar mesazh ngushëllimi për tërmetet në Kahramanmaras, të cilët prekën drejtpërdrejt dhjetë provinca me një fuqi shkatërruese që shkaktuan dhimbje të thellë për vendin tonë”- citohet të ketë shkruar presidenti turk.

“Fakti që vendet mike na qëndrojnë pranë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore na jep forcën për të duruar” – ka shkruar tutje ai.

Sipas komunikatës së Presidencës, më tej në letrën e presidentit Erdogan thuhet se ndihma e Republikës së Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit.

“Ndihma juaj ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit tanë që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit në këto ditë të vështira dimri. Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”,- citohet të ketë thënë ai sipas komunikatës së Presidencës së Kosovës.

“Me këtë rast përsëris urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik e vëllazëror të Kosovës” –  përfundon letra e tij.

Më 6 shkurt, një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesën juglindore të Turqisë dhe vendin fqinj të saj Sirinë.

Si pasojë humbën jetën më shumë se 55,000 persona. Mbi një milion të tjerë kanë mbetur pa strehë mbi kokë dhe sipas parashikimeve, kostoja ekonomike e shkaktuar nga tërmeti mund të arrijë në miliarda dollarë.

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës u dërgua për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

FSK arriti që nga gërmadhat e ndërtesave të rrëzuara të nxjerrë  të gjallë disa persona, por edhe shumë viktima.

Nderohet me medalje kontingjenti i FSK-së që mori pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi