Foto: KALLXO.com

Jep dorëheqje drejtori i minierës në Stan Tërgë

Behxhet Vinarci, udhëheqësi i Njësisë Biznesore “Trepça” konfirmoi për KALLXO.com dorëheqjen nga posti.

“Po kam dhënë dorëheqje dhe kam mbajt takim me bordin mbikëqyrës”- ka thënë Vinarci.

Tutje ai tregon edhe arsyet e dorëheqjes.

“Faktikisht nuk kam mujt me realizu objektivat dhe synimet për të cilat edhe jam përzgjedh, kam konkuru dhe për të cilat kam pas vizion. Deri këtu e kemi shty procesin aq sa kemi mundur. Kështu që kam lëshu rrugë për politika të tjera”- deklaroi ai.

Ai shtoi se një fakt i rëndësishëm është edhe prodhimi i cili nuk mund të ecte mirë shkaku i disa defekteve.

“Prodhimin, sigurimin e pagave dhe mbulimin e shpenzimeve operative deri muajin e kaluar ja kemi arrit me mjaft sukses. Mirëpo më pas prodhimi nuk mundi të ec mirë për shkak të disa defekteve që i patëm me energji elektrike dhe ngecëm këtë muaj me zhvillim. Në muajin e parë që ngecëm punëtorët e shfrytëzuan rastin që të bëjnë greva dhe të kërkojnë ta ndërprenë punën”-pohoi ai.

Duke u ballafaquar me këto probleme, Vinarci thotë se nuk dëshiron të mbaj barrën e një numri të konsiderueshëm të punëtorëve.

“Kështu që unë nuk kam dal pengesë, nuk kisha dashtë kurrë me qenë në krye të një procesi ku unë muj me marrë barrën e 1200 punëtorëve dhe nuk mundem ta realizoj”- ka thënë ai.

Ish drejtori theksoi se problemi nuk është tek shitja, por te mosblerja.

“Nga njëra anë nga mosblerja dhe nga ana tjetër edhe defekti ekonomik i cili është vonuar. Ai ka pas frikë me ardhë me e ble me kohë në korrik. Kështu që këto kanë qenë dy arsyet kryesore për shtyerjen e pagës. Edhe situata politike në veri pastaj disa defekte të tjera që kanë shkaktu ndërprerje prej 7-10 ditë të pamundësisë të transportimin të xehes”- përfundoi Vinarci.

Ndryshe, Behxhet Vinarci ishte emëruar si udhëheqës i Njësisë Biznesore “Trepça” më 27 korrik të vitit 2022.

Kallxo.com raportoi sot që minatorët nuk kanë marrë ende rrogat e plota për muajin qershor.

Minatorët e Trepçës ende nuk e kanë marrë gjysmën e rrogës për muajin qershor