Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Jep dorëheqje u.d. drejtori i Spitalit të Ferizajt

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Selajdin Sallahu ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Zyra e Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) konfirmoi për KALLXO.com se dorëheqja e Sallahut është aprovuar.

“Së shpejti, drejtori i përgjithshëm do të emërojë një zëvendësues të drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, deri në procedim të konkursit të rregullt” – thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sallahu, i cili me profesion është kardiolog tha se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe se dëshiron që të punojë me pacientë.

Ai ka udhëhequr Spitalin në Ferizaj për një vit e katër muaj.

Drejtoria e SHSKUK-së ndonëse më 23 tetor pati thënë se së shpejti do të hapë konkurset për drejtor të Spitalit të Ferizajt dhe atij të Gjakovës, i cili po ashtu udhëhiqet nga ushtrues detyre, ende nuk i ka hapur këto konkurse.

Spitali i Ferizajt ka dy vjet e pesë muaj, që është pa “zot shtëpie” dhe udhëhiqet nga ushtrues detyre, kështu duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili thotë se pozita e nivelit drejtues mund të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës më së gjati deri në një vit.

Madje, sipas këtij neni, çdo vendim i marrë nga ushtruesi i detyrës, pas kalimit të këtij afati njëvjeçar është i paligjshëm.

Edhe Spitali i Gjakovës, ka në krye të saj një ushtrues detyre, pasi që ish-drejtori i tij ishte shkarkuar katër muaj më parë.

Pas përfundimit të kontratës së ish-drejtorit, Jeton Zeqiri, ushtrues detyre i drejtorit në Spitalin e Ferizajt ishte emëruar Halit Gërbeshi, më 6 gusht 2021. Gërbeshi ishte arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, prandaj ishte larguar përkohësisht nga puna. Në vend të tij, ishte emëruar Isa Berisha, i cili pati dhënë dorëheqje në shtator të vitit 2022.

Që nga atëherë, ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit në Ferizaj ishte Selajdin Sallahu.