Ish presidenti Clinton: Që nga viti 2011 isha në dijeni se Putin do ta sulmonte Ukrainën

Forca ajrore e Ukrainës ka thënë se e ka rrëzuar një nga dronët e saj pasi e ka humbur kontrollin mbi Kiev të enjten. Andriy Yermak, shefi i shtabit presidencial të Ukrainës, fillimisht tha se një dron armik ishte rrëzuar. Mirëpo forcat ajrore më vonë sqaruan se droni i përkiste ushtrisë ukrainase dhe se ishte shkatërruar për të shmangur “rrethanat e padëshirueshme”. Nuk raportohet për viktima.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë si “qesharake” pretendimet e Rusisë se Uashingtoni ka orkestruar sulme me dronë në Moskë, duke thënë se SHBA nuk ishte e përfshirë në incident dhe, njëkohësisht, e ka akuzuar Rusinë për gënjeshtra. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, ka thënë se një gjë që mund t’ju them me siguri është se SHBA-të nuk kanë pasur ndonjë përfshirje në këtë incident, në kundërshtim me gënjeshtrat e [zëdhënësit të Vladimir Putinit] Peskov, dhe kjo është pikërisht ajo që janë: gënjeshtra. ” Më herët, Dmitry Peskov ka thënë se “Vendimet për sulme të tilla terroriste merren në Uashington” dhe Kievi “thjesht i zbaton këto vendime”.

Forcat ruse në Ukrainë janë aq të degraduara sa nuk mund ta ndërmarrin ndonjë lëvizje të rëndësishme sulmuese dhe janë të fokusuara në konsolidimin e kontrollit të territorit të pushtuar, ka deklaruar shefi i inteligjencës amerikane, Avril Haines. Tutje Haines ka shtuar se strategjia e Putinit ka të ngjarë të jetë zgjatja e konfliktit derisa mbështetja perëndimore për Kievin të zbehet.

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton, ka deklaruar se ishte në dijeni që në vitin 2011 se ishte ‘vetëm çështje kohe’ para se Putin ta sulmonte Ukrainën, pas një diskutimi rrëqethës me presidentin rus Putinnë Davos, Zvicër.

Gjatë atij takimi, tha Clinton, Putini hodhi poshtë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja e rënë dakord nga paraardhësi i tij, Boris Yeltsin, për ta respektuar territorin e Ukrainës në këmbim të heqjes dorë nga Kievi nga arsenali i tij bërthamor i epokës sovjetike.

“Vladimir Putin më tha në vitin 2011 – tri vjet para se ta aneksonte Krimenë – se ai nuk ishte dakord me marrëveshjen që unë e kisha bërë me Boris Yeltsin”.

Vladimir Putin duhet të sillet para drejtësisë për luftën e tij në Ukrainë, ka deklaruar Volodymyr Zelenskiy të enjten gjatë një vizite në Hagë, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC). “Ne të gjithë duam ta shohim një Vladimir të ndryshëm këtu në Hagë, ai që meriton të sanksionohet për veprimet e tij kriminale këtu, në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Zelenskiy gjatë fjalimit të tij. “Jam i sigurt se do ta shohim të ndodhë kur të fitojmë”, tha ai, duke shtuar: “Kushdo që sjell luftë duhet të marrë gjykimin”.

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, e ka vizituar ish-marinsin amerikan Paul Whelan, i cili është mbajtur në një burg të largët rus për më shumë se katër vjet. Ambasadorja Tracy ka thënë se “qeveria e SHBA do të vazhdojë t’i angazhojë autoritetet ruse për rastin e tij, në mënyrë që Paul të kthehet në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”. Ajo nuk e tregoi gjendjen e tij apo çfarë kanë diskutuar. ëhelan u arrestua në vitin 2018 dhe po vuan një dënim me 16 vjet për spiunazh. Analistët kanë vënë në dukje se Moska mund t’i përdorë amerikanët e burgosur si pazare për luftën në Ukrainë.

Përmes një deklarate të bërë, Mbrojtja ajrore ukrainase ka thëë se ka 18 nga 24 dronët kamikaze që Rusia nisi në një sulm para agimit të enjten. Në një deklaratë tjetër, administrata e qytetit të Kievit ka thënë se të gjitha raketat dhe dronët që kishin si shënjestër kryeqytetin ukrainas për herë të tretë në katër ditë, janë shkatërruar. Nuk raportohet për viktima.

Shërbimet ruse të urgjencës e kanë shuar një zjarr në një rafineri të madhe nafte në Rusi dy orë pasi u godit nga një sulm me dron, njoftoi agjencia e lajmeve Tass herët të enjten. TASS tha se incidenti ndodhi në rafinerinë Ilsky pranë portit të Detit të Zi të Novorossiysk në rajonin e Krasnodarit dhe se janë përdorur katër dronë. Një ditë më parë, një depo karburanti më në perëndim u përfshi në flakë pranë një ure që lidh kontinentin e Rusisë me gadishullin e okupuar të Krimesë.

Finlanda ka pranuar një notë diplomatike nga Rusia që ankohet për vandalizëm në një konsullatë ruse në ishullin e demilitarizuar Aland që ndodhet në Detin Baltik midis Finlandës dhe Suedisë, ka thënë të enjten ministria e jashtme finlandeze./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala