Foto: KALLXO.com

Ish-inspektori komunal, i akuzuar se nuk rrënoi mbindërtimet pa leje, kërkon negocim për pranimin e fajësisë

Ish-inspektori i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, pak para se të japë mbrojtjen e tij, ka kërkuar nga Prokuroria negocim për pranimin e marrëveshjes së fajësisë.

Musliu është duke u gjykuar se nuk e ka zbatuar masën e rrënimit të objektit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë.

Gjatë së mërkurës, Valbone Morina, mbrojtëse e të akuzuarit ka deklaruar se më 2 gusht 2022 ka parashtruar kërkesë.

Por, ky propozim nuk gjeti mbështetje te Prokuroria pasi tashmë procesi gjyqësor është në përfundim.

“Pas bisedës me prokuroren e çështjes, Ervehe Gashi, e njëjta është deklaruar se në këtë fazë të procedurës negocimi i marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë nuk është në interes të çështjes pasi jemi në fazën përfundimtare të procedurës”- tha prokurorja Ariana Shaikovca.

Lidhur me këtë refuzim avokatja Morina kërkoi që të marrë përgjigje në formë të shkruar.

Gjykimi tutja vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të ndërtimtarisë, Liman Mustafa.

Mustafa para trupit gjykues sqaroi se pas shikimit të vendit ka ardhur në përfundim se mbindërtimi i këtij objekti ishte bërë në katin e katërt.

“Kam ardhur në përfundim se mbindërtimi i këtij objekti është kati-tipik i katërt në bruto sipërfaqe prej 158 m2 dhe nënkulmi në bruto sipërfaqe prej 116 m2 bruto dhe 387.7 m2 neto”- tha Liman Mustafa.

Eksperti tutje shtoi se shuma e dëmit total vetëm sa i përket tejkalimit të lejes urbanistike është 2 mijë e 481 euro.

I njëjti iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes duke argumentuar se si eksperti i hidro-ndërtimtarisë që ishte mund të kryente edhe ekspertiza për fushën e ndërtimtarisë.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 14 shtator.

Sipas aktakuzës, Nexhmedin Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, mirëpo i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje.

Tutje, në akuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u ka mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas Prokurorisë asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke u sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”.

Me këtë Nexhmedin Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Ndryshe, Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që ndërlidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.