Sali Bashota, kryesues i Bordit të RTK-së. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Dhëndri i kryetarit të Bordit punësohet në RTK
Liridon Konushefci, dhëndri, apo burri i vajzës së kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Sali Bashota, është punësuar si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK, me kontratë mbi vepër.
Në vendimin të cilin e ka marrë menaxhmenti i RTK-së më 27 korrik 2020, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Liridon Konushefci ka nënshkruar kontratë për shërbime në cilësinë e mirëmbajtësit – shtëpiakut në një kohëzgjatje prej 5 muajve, prej 1 gushtit 2020 – deri më 31 dhjetor 2020.
Marrëveshja për shërbime të veçanta apo siç njihen ndryshe kontrata mbi vepër është lidhur bazuar në Ligjin për detyrimet.
KALLXO.com ka gjetur se lidhja e kontratës është bërë në fund të muajit korrik, në kohën kur në fuqi ka qenë Ligji për Zyrtarët Publik.
Ky ligj i ka ndaluar marrëveshjet për shërbime të veçanta dhe ka hapur rrugë që kontratat për shërbime të nënshkruhen përmes procedurave të prokurimit dhe vetëm për ekspertë.
Përveç kësaj, në Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës, te neni 27 – “Pamundësia për të qenë anëtar i Bordit”, ndalohet veprimtaria afariste mes anëtarëve të familjes së ngushtë të anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
“Anëtari i bordit ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtrojë veprimtari afariste me institucionin publik të RTK-së”, theksohet në paragrafin 2, të nenit 27 të Ligjit për RTK-në.
KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së, gjashtë herë përmes telefonit, mesazhit dhe emaileve të përsëritura disa herë në adresë të tij, por Bashota nuk është përgjigjur. Ai nuk është përgjigjur as për lidhjen familjare me Konushefcin, e as nëse e ka shkelur Ligjin për RTK-në.
Pyetje nga KALLXO.com janë dërguar edhe në adresë të RTK-së, nëse kanë qenë në dijeni të lidhjes familjare të Konushefcit me Bashotën, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikim të këtij artikulli.
KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me Liridon Konushefcin, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet përmes telefonit dhe as në pyetjet e dërguara përmes mesazhit.
Përkufizimi për personin e afërm në raport me zyrtarin jepet edhe në Ligjin për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
“Person i afërm me zyrtarin – bashkëshorti ose personi që bashkëjeton, të afërmit në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adoptuesi, i adoptuari, i afërmi në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë si dhe çdo person fizik apo juridik i cili ka pasur ose ka një lidhje të përbashkët interesi privat pasuror ose jopasuror me zyrtarin. Për qëllime të këtij ligji, personi juridik konsiderohet si person i afërm, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, theksohet në nenin 3, paragrafin 1.6 të këtij Ligji.
KALLXO.com ka pyetur Agjensionin Kundër Korrupsionit (AKK) nëse dhëndri konsiderohet person i afërm në kuptim të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.
AKK në përgjigjen e tyre kanë theksuar se “dhëndri” nuk përmendet te personat e afët, por në rastet që lidhet me vendimmarrje mund të merret si referencë e lidhjes së afërsisë.
“Në bazë të interpretimit autentik të dispozitës fakti se fjala/emërtimi “dhëndri” nuk përmendet te personat e afërt, nënkupton që ai nuk hyn në këtë mes. Por, në raste të veçanta, që lidhen me vendimmarrjen, që trajtohen nga këndvështrimi i parandalimit të konfliktit të interesit, mund të merret si referencë e lidhjes së afërsisë (së paku konflikt në dukje i interesit) mbi bazën e së cilës ajo duhet të deklarohet dhe do të duhej të ketë tërheqje ose zëvendësim në procesin e vendimmarrjes”, theksohet në përgjigjen e AKK-së.
KALLXO.com e ka dërguar rastin në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) për të marrë interpretim nëse ekziston konflikti e interesit në nënshkrimin e kontratës mes RTK-së dhe dhëndrit të Sali Bashotës, kryetarit të Bordit të RTK-së.
Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani ka thënë për KALLXO.com se konsiderohet konflikt interesi nëse ka interes financiar.
“Pa dyshim që po, në aspektin penal konsiderohet konflikt interesi në rast se ka interes financiar. Ligji për familjen e përcakton qartë se kush konsiderohet i afërm. Ndërsa, në neni 417, paragrafi 6 i Kodin Penal thotë se “për qëllimet e këtij neni, një anëtar i familjes do të thotë bashkëshorti ose bashkëshortja, prindi, prindi adoptues, fëmija, fëmija i adoptuar, vëllai ose motra, gjyshi ose gjyshja, nipat e mbesat nga vajza dhe djali, hallat dhe tezet, nipat e mbesat nga vëllai dhe motra, dajët dhe axhallarët, njerku/njerka, thjeshtri/thjeshtra, vëllai /motra nga njëri prind, i afërmi i gjakut që jeton në të njëjtën shtëpi ose personi me të cilin kryesi jeton në bashkësi jashtëmartesore””, ka thënë ai.
Punësime ‘pa konkuru’
Punësimi i Konushefcit, dhëndrit të kryetarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Sali Bashota është bërë me marrëveshje për shërbime të veçanta, përkatësisht është punësuar me kontratë 5 mujore si mirëmbajtës – shtëpiak në RTK.
Në të kaluarën, angazhimi i personave me marrëveshje për shërbime të veçanta është bërë bazuar në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve sepse ashtu është referuar në Ligjin për Shërbyesit Civil.
Por, Ligji për Shërbyesit Civil nuk ka qenë në fuqi në muajin korrik të vitit 2020, kur është lidhur kontrata me Liridon Konushefcin, pasi i njëjti është zëvendësuar (shfuqizuar) nga Ligji për Zyrtarët Publik.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ligji për Zyrtarët Publik ka hyrë në fuqi me datën 30 qershor 2020, ndërsa kontrata e cila ka filluar më 1 gusht 2020 është protokolluar me datën 27 korrik 2020.
Ky ligj e ka ndaluar praktikën e lidhjes së marrëveshjeve për shërbime të veçanta, të cilat njihen ndryshe si kontrata mbi vepër.
Neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publik thotë se lidhje e marrëveshjeve për shërbime mund të bëhen vetëm përmes procedurave të prokurimit.
“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të Ligjit për Zyrtarë Publik që flet për “marrëveshjet për shërbime të veçanta”.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i RTK-së për procedurat që kanë ndjekur për punësimin e Liridon Konushefcit dhe nëse ka pas konkurs të hapur, por ata nuk janë përgjigjur.
Gjithashtu, kemi kërkuar sqarime pse punësimi i tij është bërë duke u bazuar në Ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve dhe jo në Ligjin për Zyrtarët Publik, përkatësisht pse nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit. As në këtë çështje, menaxhmenti i RTK-së nuk ka dhënë përgjigje.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit ka dhënë sqarime për punësimet me kontrata për shërbime përmes prokurimit duke tërhequr vërejtjen se punësimet e tilla duhet të bëhen vetëm për ekspertë dhe profile që nuk i posedon një institucion.
“Këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka”, theksohet në njoftimin e KRPP-së drejtuar autoriteteve kontraktuese.
KALLXO.com ka kërkuar të dhëna se sa mirëmbajtës – shtëpiakë ka të punësuar RTK-ja me kontrata të përhershme, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Punësimet në RTK për dajë e nipa
Praktika e kryetarëve të Bordit që punësojnë anëtarë të familjes ka qenë prezente edhe në Bordin e kaluar.
Ish-kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, në vitin 2016 ka qenë anëtare e Bordit të RTK-së, ndërsa kryetare e po të njëjtit Bord është zgjedhur në periudhën 2017-2019.
Kryetari i Sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha, ka thënë se gjatë kohës sa Afërdita Maliqi ishte kryetare e Bordit, në RTK është punësuar Flamur Sopi. Ai ka thënë se Sopi është raportuar se është djali i dajës së Maliqit.
Ky reagim i kryetarit të Sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha është bërë në kohën kur Sopi u arrestua nga Policia e Kosovës për një rast që nuk kishte të bëjë me RTK-në,
Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar Maliqin, por ajo as nuk e ka mohuar, as nuk e ka pohuar nëse ka ndikuar në punësimin e Sopit.
“Pyete menaxhmentin për konkurse”, është përgjigjur shkurt ajo.
KALLXO.com ka insistuar të marr një konfirmim nga Maliqi nëse personi i arrestuar nga policia dhe i raportuar si punëtor i RTK-së është djali i dajës së saj, ashtu siç ka shkruar kryetari i Sindikatës së RTK-së.
Ajo ka thënë se nuk merret me Fadil Hoxhën, kryetarin e Sindikatës së RTK-së dhe se të njëjtin do ta padis për shpifje.
“Unë nuk merrem me Fadilin, as më askënd, me të (kryetarin e sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha) flas në gjykatë”, ka theksuar Maliqi.
Në anën tjetër, Hoxha ka deklaruar se “do të ndihesha keq nëse do të thoja diçka që nuk qëndron”.
Më 27 shkurt 2017, RTK kishte hapur konkurs publik për vendet e lira të punës për asistent të marketingut në RTK, zyrtar i pasurisë në RTK – TV, Teknik në RTK – RADIO, Teknik në energjetikë të RTK- RADIO, Mirëmbajtës – shtëpiak në RTK-TV.
Paneli unanimisht më 16 maj 2017 ka pranuar Flamur Sopin në punë në pozitën “Teknik i zërit 2”.
KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me Flamur Sopin në lidhje me punësimin e tij në RTK, por i njëjti gjendet në paragurgim. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com ish-avokatit i tij, Fanol Krasniqi, i cili ka qenë avokat i të akuzuarit deri një javë më parë. Dy ish-avokatët e tij nuk kanë qenë në gjendje të përgjigjen për rastin e punësimit të Sopit në RTK.
Bordi i RTK-së zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa menaxhmenti i RTK-së emërohet nga bordi. Bordi aktual i RTK-së ka këtë përbërje: Sali Bashota – kryetar, Marijana Simiq – nënkryetare dhe anëtarët: Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.