Ish-deputetja e PDK-së: Nuk është befasi humbja

Ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, nuk ka arritur të bëhet pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, përderisa ka thënë se nuk është befasuar nga rezultatet përfundimtare.

Izmaku në zgjedhjet e 6 tetorit mori 6 mijë e 127 vota.

Në një prononcim për KALLXO.com, ajo ka thënë se pranon rezultatin.

“Nuk është befasi, ne në kontinuitet i kemi përcjell, i kam mbi 6 mijë e  100 vota. Është shumë normale në garë kur hyn. Në demokraci dhe në garë është jashtëzakonisht e pranueshme, rezultati është ky. Unë vazhdoj me kontribut, me punu dhe me u angazhu”, është shprehur ish-deputetja.

Izmaku ka shtuar se është dashur që të angazhohet në fushatë edhe jashtë qytetit të Vushtrrisë.

“Mendoj që jam vlerësuar shumë mirë në qytetin që e kam përfaqësu, jam dalë me vota maksimumi prej të gjitha grave në vendin e vet, mirëpo si duket nuk i kam kushtu rëndësi shumë, është dashur të angazhohem edhe jashtë Vushtrrisë”, tha ajo.

Ish-deputetja ka thënë se do të kontribuojë në të mirë të qytetarëve, ani pse jo nga karrigia e deputetes.

“Do të mundohem të kontribuojë njëjtë, për Vushtrrinë, për të gjithë qytetarët, do të jem në shërbim të praktikave që i kam përfituar për një dekadë”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të marr komente edhe nga kandidatë të tjerë për deputetë që nuk kanë marr votat e mjaftueshme për këtë pozitë, si Ismet Beqiri (LDK), Xhavit Haliti (PDK), Blerim Kuçi (AAK), Muharrem Nitaj (AAK), Halil Matoshi (AAK), por të njëjtit nuk janë përgjigjur në thirrjet përmes telefonit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nacionale të këtij viti.

Nga kjo garë elektorale, Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë; LDK më 6 tetori grumbulloi 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë. Partia e tretë ka dalë PDK me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë. Koalicioni AAK-PSD ka marr 96,883 vota apo 11,477% apo 14 deputetë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Nisma-AKR-PD nuk u bë pjesë e Kuvendit, pasi ka marr 42 mijë  e 72 vota apo 4,984 për qind, përderisa për ta kaluar pragun nevojiten 5 për qind e votave.

Kurse, Lista Serbe ka marr 10 deputetë apo 57,015 vota apo 6.754%.