Ish-deputeti i LDK-së kërkon dorëheqjen e 'gardës së vjetër' pas humbjes në zgjedhjet e djeshme

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka reaguar pasi partia e tij doli si e treta fuqi politike në vend pas zgjedhje të parakohshme të 14 shkurtit.

Në një reagim në Facebook, Rugova ka kërkuar që udhëheqja e LDK-së të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor. Ai tha se “garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë”.

Ky është postimi i plotë i Naser Rugovës:

Tre fjali për rezultatin dje. 

  1. Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më.
  2. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para.
  3. I përshëndes deklaratat e Kryetarit Mustafa dhe Kryeministrit Hoti, megjithatë duhet ta theksoj që nuk kemi kohë për të humbur. Elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë. Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura.

Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para.

LDK është pasuri fundamentale e këtij populli.