Isa Mustafa shpreh ngushëllime për vdekjen e të riut nga Gjilani

Me rastin e vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllime.

Ai u ka bërë thirrje të gjitha organeve të punojnë në drejtim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të kësaj vdekje tragjike.

“Jam trishtuar nga vdekja tragjike e të riut 26 vjeçar nga Gjilani. Lajmi për humbjen e tij na tronditi të gjithëve. Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të gjithë familjarëve dhe miqve të tij”, thuhet në telegram ngushëllimi.

Sot, një 26-vjeçar nga Gjilani i cili po qëndronte i karantinuar në Qendrën e Studenteve, dyshohet se ka rënë nga kati V.

Ndërkaq, presidenti Thaçi kërkoi përgjegjësi nga institucionet përkatëse, pasi që thotë se e kanë vendosur që 26-vjeçarit t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm, “duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”.

“I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie. Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social “Facebook”.

Konviktet në Qendrën e Studentëve janë shndërruar në karantinë që nga paraqitjet e rasteve të para të të sëmurëve me COVID-19 dhe menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë.