Isa Mustafa: Po shpenzohen shuma të majme të parave për ta përçarë LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se kjo parti nuk do të përçahet për shkak të mos propozimit për kryesi të dy ose tre deputetëve, kurse të njëjtit janë propozuar dhe janë zgjedhur në organin më të lartë të LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm.

Tutje ai ka shtuar se është i vetëdijshëm që ka njerëz që shpenzojnë shuma të mëdha të hollash për përçarjen e LDK-së.

Dy ish-deputetë të LDK-së, Arben Gashi dhe Armend Zemaj, nuk kanë gjetur vend në përbërjen e re 33 anëtarëvshe të kryesisë së LDK-së.

Ndërsa si çdo herë Mustafa ka shtuar se “LDK është unike në vizionin e saj për të ardhmen”.

Publikimi i plotë i Mustafës:

“LDK është unike në vizionin e saj për të ardhmen. Për përçarjet trumbetojnë ata që synojnë të na dëmtojnë në procesin zgjedhor. Nuk përçahet LDK-ja, në qoftë se, dy-tre (ish) deputetë nuk janë propozuar për Kryesi, kurse të njëjtit janë propozuar dhe janë zgjedhur në organin më të lartë të LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm. As në rastin se nga një degë është zgjedhur një e re, (Kryetare e Forumit të Gruas) e nuk është propozuar, kësaj radhe, Kryetari i Komunës. Nuk i cilësoj të pavend pritjet e atyre që nuk janë zgjedhur në Kryesi, por i vlerësoj të pa vend dhe qëllim këqija deri edhe te fjalori rrugaç i atyre që këtë e cilësojnë si punë të klaneve, komunistëve dhe të SHIK-ut. Të tillë janë ata që e thonë, jo LDK-ja. Të tillët bien e qohen me këto botëkuptime, si me dashurinë e parë. Jam i vetëdijshëm për rrethin në të cilin jetojmë dhe se nga disa shpenzohen shuma të majme parash të vjedhura për ta përçarë LDK-në, por unë nuk rri , nuk punoj dhe nuk shoqërohem me të tillët. I shpërfilli! Janë qytetarët, ata që vlerësojnë se cilët janë njerëzit më të përgatitur e më të pakorruptuar, se kush mund t’i çojë në BE e kush ua kallë rrugën për BE, se kush ka dije ta zhvillojë ekonominë e kush ka prirje që ta shkatërrojë buxhetin…. Sa i përket Kryesisë, ajo ka një përbërje që siguron suksese. Kam besim në qytetarët tanë!”