Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: Po bisedojmë me VV-në për heqjen e tarifës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mastafa, në emisionin Argument Plus në RTV21, tha se janë duke bërë përpjekje që të harmonizojnë qëndrimet me Lëvizjen Vetëvendosje, për heqjen e plotë të tarifës ndaj Serbisë.

Ai tha se heqja e pjesshme e tarifës nuk funksionon dhe është një mesazh i keq për raportet me SHBA-të.

“Pa një angazhim shumë të fuqishëm të SHBA-së të gjitha përvojat tona tregojnë që nuk mund ta mbyllim dhe nuk guxojmë as ta shtrojmë këtë pyetje tani dhe të themi tani “e heqim gjysmën (e tarifës), e heqim krejt”. Si gjysmën, si krejt, ne duhet ta heqim”, ka thënë Mustafa.

“Ne tash po bisedojmë, po bëjmë përpjekje ta harmonizojmë një qëndrim. Unë nuk shoh që mund të funksionojë heqja e pjesshme. Në momentin që SHBA thonë se janë kundër heqjes së pjesshme dhe në moment që pastaj Serbia thotë se nuk e pranojnë heqjen e pjesshme, atëherë cila është logjika jonë që themi se e heqim pjesshëm deri më 15 mars dhe presim deri më 30 mars që Serbia të reflektojë”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se ka pasur sot një paralajmërim nga Ambasadori amerikan se sot do të ketë një paralajmërim nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Ata konsiderojnë se ne nuk mund t’i ndihmojmë Kosovës nëse liderët e Kosovës nuk i ndihmojnë vet Kosovës”, tha Isa Mustafa. /21Media