IPK 'toleron' brutalitetin, policët vazhdojnë punën

Kallxo.com ka publikuar të martën (31.10.2023) pamjet e dhunës së disa zyrtarëve të Policisë së Kosovës ndaj dy të rinjve në Mitrovicë.

Incidentit kishte ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit 2023 në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit në mes të KB Trepçs dhe KB Vëllaznimit.

Në një përgjigje për Kallxo.com Inspektorati Policor i Kosovës ka treguar se kjo ngjarje po trajtohet në procedurë të rregullt.

“Është kontaktuar prokurori kujdestar dhe pasi i është prezantuar rasti ka udhëzuar që të iniciohet rasti si ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’ dhe të vazhdohet në procedurë të rregullt”- thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK nuk ka dhënë sqarime se pse nuk ka rekomanduar suspendimin e policëve edhe pse e kanë pranuar se kanë siguruar pamjet dhe kanë intervistuar viktimat dhe dëshmitarin e rastit.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar ankesën nga të dëmtuarit e këtij rasti më datën 19.10.2023. Më datën 24.10.2023 janë intervistuar nga IPK në cilësi të dëmtuarit. Më datën 25.10.2023 janë siguruar videoincizimet nga Palestra Minatori dhe është intervistuar dëshmitari i propozuar nga të dëmtuarit. IPK përmes e-mailit ka pranuar rastin nga Policia së bashku me raportet e zyrtarëve policor.

“Tani rasti është në proces”- theksohet tutje në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës po ashtu ka treguar se kanë kontaktuar me prokurorin e rastit, i cili ka urdhëruar që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.