Inspektimi tek fermerët aplikues për subvencione, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë në terren

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci nën shoqërimin e Kryeshefes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Venera Çerkini dolën në terren për të parë nga afër ecurinë e punës së inspektorëve të AZhB-së të cilët nga dita e sotme kanë filluar inspektimin e kulturave bujqësore tek fermerët aplikues në kuadër të Programit për Pagesa Direkte – Subvencione 2023.

Sipas njoftimit të ministrisë, vizita u realizua tek fermeri Jeton Statovci në fshatin Cërillë i komunës së Ferizajt i cili i njoftoi të pranishmit për kulturat të cilat ai i ka kultivuar.

“Z. Statovci tha se është i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga Ministria e Bujqësisë dhe falë kësaj mbështetje, ai ka arrit t’i mbjellë afër tetë hektarë grurë”- thuhet në njoftimin në Facebook.

Tutje sipas njoftimit, ministri Peci është shprehur se me lehtësimin e formës për aplikim për subvencione, duke i thjeshtëzuar në tërësi procedurat për aplikim, viti 2023 është viti rekord i të mbjellave në territorin e Kosovës dhe ky rekord i të mbjellave duhet të shoqërohet edhe me rekordin e inspektimeve.

“Kemi dëshmuar se përmes qeverisjes sonë, cak kemi vetëm bujkun që ia bën mundin tokës së tij. Objektivat që i vendosëm në fillim të mandatit, i tejkaluam në gjysmë të tij, e kështu po hapim rrugë të reja drejt sigurimit të mirëqënies së fermerëve. Përmes punës sonë, duke rritur  përkrahjen për të gjitha kulturat bujqësore, blegtorale e pemëtare, ne vazhdojmë çdo ditë me synimin e vetëm, e që është zhvillimi i sektorit të bujqësisë në vend”- citohet të ketë thënë ai.

Tutje, ministri Peci ka thënë se këtë vit kontrolla në terren do të realizohet në masën 100% për kulturat bujqësore dhe aplikuesit në Programin për Pagesa Direkte / Subvencione 2023.

Programi për Pagesat Direkte është aprovuar në janar të këtij viti dhe përfshinë subvencionimin e grurit, misrit, patates, fasules.

Kurti: Hera e parë që buxheti për bujqësi arrin në 87 milionë euro