Kurti: Hera e parë që buxheti për bujqësi arrin në 87 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se për herë të parë buxheti i Ministrisë së Bujqësisë do të arrij shifrën 87 milionë euro ndërsa bashkë me investimet nga jashtë, pritet t’a kaloj 100 milionëshin.

“Buxheti për bujqësi për herë të parë do të arrijë shifrën 87 milionë euro, bashkë me investimet nga jashtë pritet ta kaloj shifrën 100 milion euro” – tha Kurti në konferencë për media.

Kurti theksoi se kanë ekzekutuar të gjitha pagesat ndaj bujqve gjatë vitit 2022.

“Një ekonomi e qëndrueshme do të thotë rritje e prodhimit vendor, përmes masave kemi mbështetur bizneset për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Me qëllim nxitjen prodhimit vendor kemi ndarë mbi 70 milion, ekzekutuam të gjitha pagesat për subvencione duke mos lënë anash bujqit tanë” – tha ai.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri të ditur se kanë aprovuar programin për pagesa direkte apo subvencione për vitin 2023.

“Është hera e parë që ky program lansohet në fillim të vitit në mënyrë që bujqit të kenë përkrahje. Qeveria dhe ministria vazhdon me përkrahjen e fuqishme, po e vazhdojmë përkrahjen për kulturat strategjike”- tha Peci.