Inspektime të Ministrisë së Tregtisë, konfiskohen tri peshore e gjobitet një furrë buke

Inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kanë konfiskuar tri peshore dhe kanë gjobitur një furrë buke, për shkak të disa parregullsive që kanë gjetur gjatë inspektimeve ditëve të fundit.

Sipas një njoftimi për media, inspektorët bashkë me Agjencinë e Metrologjisë, kanë kryer inspektime të peshoreve, si dhe kanë bërë kontrollimin e dokumentacionit të këtyre operatorëve në qytetin e Gjilanit.

“Gjatë inspektimit, në tri peshore janë hasur parregullsi që nuk kanë qenë në përputhje me Rregulloren për Peshore Jo-Automatike (nuk kanë miratim të tipit)”, thuhet në njoftim.

Peshoret janë larguar nga përdorimi dhe është kërkuar që për një afat të caktuar, të njëjtat të zëvendësohen me peshore në përputhje me Rregulloren për Peshore jo-automatike.

Ministria ka njoftuar gjithashtu se janë kryer matje të peshës së bukës nëpër furra dhe një furrë është gjobitur, për shkak të mos përputhjes së peshës së bukës me deklaracionin, që e ka prezantuar për blerësit.

“Gjatë inspektimit, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar dy gjoba për flamujt e origjinës, që nuk kanë qenë të vendosur në produkte. Inspektime të tilla janë duke ndodhur në vazhdën e punës së Ministrisë së  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe për të krijuar siguri në treg”, thuhet në fund të njoftimit të Ministrisë.