Presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: REL/Reuters

Ilir Meta: Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit

Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka reaguar përmes një postimin në Facebook për vrasjet e natës së sotme në Deçan, ku deri më tani janë konfirmuar tri viktima.

Presidenti Meta ka thënë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia duhet të do të zbulojnë dhe t’i vënë para drejtësisë autorët.

“Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”, ka shkruar ndër të tjerash presidenti Meta.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur.

Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.

Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë!

Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.