Identifikohen edhe katër persona si pronarë të kazinove në Karaçevë, ndalohen për 48 orë

Gjatë ditës së sotme janë arrestuar pesë persona në lidhje me rastin e aksioneve për lojëra fati e kontrabandë në Karaçevës.

Të gjithë kta persona të arrestuar gjatë ditës së sotme, janë identifikuar gjatë hetimeve të cilat janë bërë nga ana e Prokurorisë Themelore të Gjilanit pas aksionit të gjerë të 18 shtatorit në fshatin Karaçevë. Të njëjtit janë dërguar në ndalim për 48 orë.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

“Arrestimi është bërë gjatë ditës së sotme. Katër nga të arrestuarit dyshohet se janë pronarë të kazinove në zonën e Karaçrvës ndërsa njëri është i dyshuar për kontrabandë”, tha Manastiri.

“Arrestimi i këtyre personave erdhi pas hetimeve të vazhdueshme të cilat i kemi bërë në lidhje me rastin në Karaçevë. Pra këta persona janë identifikuar si të rinj në këtë rast dhe nuk kanë qenë më herët në listën e kërkimit. Pra rezultati i hetimeve që kemi bërë edhe pas ndërhyrjes në Karaçevë dhe intervistimit të shumë të dyshuarve dhe dëshmitarëve, është edhe arrestimi i pesë personave të sotëm”, shtoi ajo.

Numri total i të arrestuarve në rastin e Karaçevës me këto të fundit ka kaluar mbi 70. Në dy aksione të ndara në lidhje me kontrabandën dhe lojërat e fatit në zonën e Karaçevës u arrestuan 67 persona.

KALLXO.com ka raportuar për mbi 15 të dyshuar të cilët janë liruar, pasi që të njëjtit kanë pranuar marrëveshjen me prokurorinë, kanë pranuar fajësinë si dhe kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë në lidhje me zbardhjen e zingjirit të funksionimit të rrjetit në zonën e Karaçevës.