Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Aktakuza ndaj 14 zyrtarëve policorë, cila ishte lidhja e tyre me kontrabandën në Karaçevë?
73 persona, ndër ta 14 zyrtarë policorë, janë duke u akuzuar nga Prokuroria e Gjilanit për veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën 302-faqëshe ku shpjegohet në detaje veprimtaria e secilit të akuzuar në rastin “Karaçeva”, ku zhvillohej në mënyrë të kundërligjshme kontrabanda dhe lojërat e fatit.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com përshkruhet edhe lidhja e zyrtarëve policorë me njerëz të kontrabandës e mundësimit të zhvillimit të lojërave të fatit në zonën e cila konsiderohej e paprekshme nga institucionet e Kosovës para shtatorit të vitit të kaluar.
Ferid Leci, i prin listës së të akuzuarve për rastin “Karaçeva”. Leci në cilësinë e zyrtarit policor ka ndihmuar, sipas Prokurorisë, vëllanë dhe djalin e tij që të zhvillojnë lojërat e fatit në objektin “Adria” në fshatin Karaçevë.
Leci, sipas Prokurorisë, ka ndërmjetësuar vazhdimin e kontratës mbi qiranë për objektin ‘Adria’ , ka fshehur aparatet për luajtjen e lojërave të bixhozit në shtëpinë e tij si mjete të përdorura për kryerjen e veprës penale, ka dhënë informata mbi vendndodhjen e zyrtarëve policor ,KFOR-it si dhe ka mbajtur dhe fshehur përfitimet që rrjedhin nga kryerja e veprës penale.
Ai me këto veprime, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale të organizimit të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.
Tutje, Leci nga data 5 tetor i vitit 2019 deri në nëntor të vitit 2019, në cilësinë e zyrtarit policor ka mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme, ushqim për kafshë, gjedhe e drurë.
Ai sipas masave të fshehta të përdorura për të vërtetuar veprën që i ngarkohet, dyshohet edhe se gjatë orarit të tij të punës në cilësinë e zyrtarit policor ka dhënë informacione, udhëzime te persona të tjerë për të kryer kontrabandën e mallrave, të gjedheve, përmes rrugëve ilegale me qëllim që të shmangej kontrolli doganor nga Serbia për në Kosovë.
Leci përmendet edhe për bashkëpunimin e tij edhe me një zyrtar tjetër policor, Selami Gecin. Së bashku, sipas Prokurorisë, kanë mundësuar kontrabandën e mallrave në nëntor të vitit 2019
Të pandehurit Ferid Leci dhe Selami Geci, sipas Prokurorisë, kanë mundësuar kontrabandimin e disa edhave nga një person i cili edhe më parë kishte qenë i arrestuar për të njëjtën vepër, kontrabandë në mënyrë të jashtëligjshme.
Leci, Zllatan Arsiq dhe Fitim Kryeziu, edhe këta zyrtarë policorë, dyshohen se më 30 nëntor të vitit 2019 rreth orës 20:00, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në zonën e përgjegjësisë së SPMK Muqivërcë, duke përfshirë fshatrat Novosellë, Karaçevë, Hodonovc, Domorovc, Korminjan dhe Ranillug, në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për tjetër kënd, kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave gjegjësisht gjedheve, duke e ditur se veprimi i tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarisë kriminale të kontrabandës.
Zllatan Arsiq dhe Fitim Kryeziu ishin informuar nga Ferid Leci se ky i fundit kishte lejuar një kontrabandist të kalojë me mall të kontrabanduar ndërsa dy zyrtarët policorë e kishin fshehur këtë informacion edhe pse kanë qenë në njohuri se është vepër penale.
Njëjtë kanë vepruar edhe më 11 dhjetor të vitit 2019.
Në këtë rast Prokuroria ka përshkruar se Ferid Leci ka qenë jashtë detyrës zyrtare ndërsa ka kërkuar nga Selami Geci, Zllatan Arsiq dhe Fitim Kryeziu që të lejojnë të kalojnë përmes rrugëve ilegale një person me një traktor me të cilin po kontrabandohej ushqim.
Dy zyrtarë tjerë policorë, Fatmir Kallaba dhe Sokol Keka, më 4 dhjetor 2019, në intervale të ndryshme kohore, gjatë ndërrimit të ditës, në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në zonën e përgjegjësisë Muqivërcë, në cilësinë e zyrtarëve policorë në vazhdimësi me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për tjetërkënd, kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave gjegjësisht gjedheve, duke e ditur se veprimi i tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarisë kriminale të kontrabandës.
Të njëjtit me detyrë konkrete për të mbikëqyrur rrugët ilegale dhe për të parandaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale kanë lejuar persona të ndryshëm që të kontrabandojnë gjedhe nga Serbia për në Kosovë edhe pse kanë qenë në dijeni që një veprimtari e tillë është ilegale.
Fatmir Kallaba ka vepruar, sipas Prokurorisë, në kundërshtim me ligjin edhe kur së bashku me zyrtarin tjetër policor Raif Thaqi, më 5-6 dhjetor të vitit 2019 në intervale të ndryshme kohore gjatë ndërrimit të natës në zonën kufitare duke përfshirë fshatrat Novosellë, Karaçevë, Hodonovc, Domorovc, Korminjan dhe Ranillug, në mënyrë të vazhdueshme me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për tjetërkënd, kanë lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave gjegjësisht gjedheve, duke e ditur se veprimi i tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarisë kriminale të kontrabandës.
Të njëjtit derisa ishin në pika të kontrollit në cilësinë e zyrtarëve policorë kanë lejuar kontrabandën e disa personave.
Madje të njëjtit kanë udhëzuar tre persona duke u thënë: “Pritni edhe një orë deri sa të qetësohet situata”, e më pas kanë hyrë të njëjtit persona dhe kanë kontrabanduar gjedhe.
Zyrtarët policorë Hydush Kastrati, Feat Zeqiri dhe Sokol Keka më 8 dhjetor të vitit 2019, kanë lejuar kontrabandën me gjedhe edhe pse ishin në detyrë që të parandalojnë kontrabandën e cila ndodhte përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.
Njëjtë, sipas Prokurorisë, kanë vepruar më 8 e 9 dhjetor edhe Fatmir Kallaba e Hydush Kastrati të cilët ishin së bashku në detyrë zyrtare gjatë monitorimit të rrugëve ilegale kanë mundësuar dhe lejuar kontrabandën e gjedheve.
Ditë më pas, më saktësisht 13 dhe 14 dhjetor të vitit 2019, përveç Kallabës dhe Kastratit ka qenë edhe Sokol Keka të cilët sipas Prokurorisë gjatë kohës sa ishin përcaktuar për të mbikëqyrur dhe parandaluar kontrabandën përmes rrugëve ilegale të njëjtit kanë mundësuar këtë veprimtari ilegale.
Ngjashëm është vepruar edhe më 16 dhjetor nga Kastrati e Keka.
Zyrtarët policorë Feat Zeqiri, Asllan Kryeziu dhe Sllavisha Nikoliq po akuzohen nga Prokuroria se më 16 dhjetor në mbrëmje kanë lejuar kontrabandën me gjedhe përmes rrugëve ilegale ngjashëm sikurse zyrtarët e lartpërmendur.
Hydush Kastrati, sipas Prokurorisë, në cilësinë e zyrtarit policor në janar të vitit të kaluar, ka vepruar ngjashëm sikurse Ferid Leci duke udhëzuar për vendin, kohën dhe mënyrën e transportit të gjedheve në mënyrë ilegale ose më saktësisht përmes rrugëve në fshatrat Breznicë dhe Muhoc drejt territorit të Kosovës.
Për një veprimtari të tillë Prokuroria ka akuzuar edhe Fatmir Kallabën i cili ka dhënë informata dhe udhëzime për kohën, vendin , mënyrën e transportimit të gjedheve të kontrabanduara, katër qytetarëve të cilët edhe janë të akuzuar për kontrabandim,
Kallaba ka lejuar kontrabandën përmes rrugëve ilegale nga fshatrat Breznicë dhe Muhovc, Republika e Serbisë, në drejtim të Republikës së Kosovës.
Kallaba si zyrtar policor po akuzohet se ka ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale të kontrabandës dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Republikë së Kosovës në shumë të papërcaktuar.
I pandehuri tjetër, Imer Spahiu më 15 nëntor, 6 dhjetor, në intervale të ndryshme kohore ka ndihmuar kontrabandistët që përmes rrugëve ilegale të bartin apo kontrabandojnë gjedhe nga Serbia për në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, ngjashëm kanë vepruar edhe zyrtarët tjerë policorë, Naim Krasniqi, Naim Selishta, të cilët kanë lejuar kontrabandën përmes rrugëve ilegale ndërsa kanë qenë në detyrë për të mbikëqyrur dhe parandaluar kontrabandën përmes rrugëve ilegale.
Si nisi rasti Karaçeva?
Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për ndalim të lojërave të fatit në Kosovë. Në po atë vit KALLXO.com kishte pranuar informacione të shumta se në njërën nga fshatrat e Kamenicës janë duke u zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me ligjin.
KALLXO.com kishte arritur që të futej brenda këtyre kazinove që ishin ndërtuar në fshatin Karaçevë dhe të vërtetojë informacionet se brenda luheshin lojëra të ndryshme të fatit.
Të gjitha informacionet që posedonte në atë kohë KALLXO.com i kishte dërguar në Prokurorinë e Gjilanit e që më pas nisi një hetim që do të zgjaste më shumë se 14 muaj e që përfundoi me dhjetëra të arrestuar në aksionin e shtatorit të vitit të kaluar.
Në këtë hetim u përfshinë institucione të shumta, ndër to edhe Inspektorati Policor i Kosovës pasi që dyshimet ishin se në mundësim të kontrabandës e zhvillimit të lojërave të fatit pati të implikuar edhe zyrtarë policorë.
Aksioni i 18 shtatorit në Karaçevë rezultoi me mbi 50 të arrestuar, 12 nga ta zyrtarë policorë, 13 objekte të rrënuara e kafshë të sekuestruara të cilat ishin kontrabanduar përmes rrugëve ilegale e që vinin nga Serbia.
Veprimtaria e lojërave të fatit po zhvillohej shumë pak kilometra nga pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.
Për zonën ku zhvillohej bixhozi fillimisht u tha se nuk ka mbikëqyrje institucionale dhe se është zonë e paprekshme.
14 muaj hetim për të vërtetuar veprimtarinë ilegale të personave të involvuar dhe hetimi pas arrestimit sot ka përfunduar me aktakuzë ndaj 73 personave.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F.L., H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.Th., S.G., S.N., Z.A., N.S., dhe F.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale – kontrabandim me mallra.
Po ashtu, edhe të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S., F.S., V.S., L.M., F.V., I.V., S.S., M.S., F.M. dhe B.F., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.
Edhe të pandehurit E.K., F.S., R.S., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., A.Th., F.K. dhe L.S., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.
Ndërsa, të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.Rr., A.H., H.M. dhe J.B., kanë kryer veprat penale – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale, dhe prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.
Të pandehurit B.A. dhe B.B., akuzohen për vepra penale – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.
Të pandehurit N.L., F.L., Xh.K., A.S., A.Th., Y.F., L.G., D.H., I.K., M.L., B.G., Sh.I., M.M., Q.M., M.M, N.R., I.F., A.Th., V.B. dhe S.I., akuzohen se kanë kryer veprën penale -organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Raportimet e KALLXO.com për rastin ‘Karaçeva’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK