Ilustrim: Karaçevë

Një muaj paraburgim pronarit të kazinos të Karaçevës

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit D. H.

Ai dyshohet se ka organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri më 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, e cila ndodhej në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë  të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit”, thuhet në njoftimin e Gjykates se Gjilanit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

“Ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do ta përsërisë veprën penale apo mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, vazhdon njoftimi i Gjykates.

Gjykata në fund njofton palët se kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.