Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com

Aksion kundër kazinove në Karaçevë

Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, është duke zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës.

Aksioni, siç mëson KALLXO.com, është kundër veprimtarive ilegale të lojërave të fatit të cilat kanë rifilluar në atë zonë kohëve të fundit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe autoritet komunale, është duke e realizuar një operacion policor në zonën e Kamenicës”, tha Kelani për KALLXO.com.

Zona e Karaçevës sërish është vënë nën llupën e institucioneve shtetërore ku po dyshohet për riaktivizim të zhvillimit të veprimtarive ilegale në atë zonë.

Ky është aksioni i dytë në Karaçevë që nga shtatori i vitit të kaluar. Kujtojmë se vitin e kaluar, dhjetëra persona ishin arrestuar në aksionin e Prokurorisë së Gjilanit dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, nën dyshimin se në Karaçevë, zhvillohej kontrabanda, e lojëra të fatit.

73 persona po akuzohen për disa vepra të ndryshme të cilat dyshohet se janë kryer në zonën e Karaçevës, pak kilometra larg pikës kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Nga 73 të akuzuarit disa nga ta janë edhe zyrtarë policorë, e persona të njohur për institucionet e drejtësisë për kontrabandë dhe lojëra fati.

Si nisi rasti Karaçeva? 

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për ndalim të lojërave të fatit në Kosovë. Në po atë vit KALLXO.com kishte pranuar informacione të shumta se në njërën nga fshatrat e Kamenicës janë duke u zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me ligjin.

KALLXO.com kishte arritur që të futej brenda këtyre kazinove që ishin ndërtuar në fshatin Karaçevë dhe të vërtetojë informacionet se brenda luheshin lojëra të ndryshme të fatit.

Të gjitha informacionet që posedonte në atë kohë KALLXO.com i kishte dërguar në Prokurorinë e Gjilanit e që më pas nisi një hetim që do të zgjaste më shumë se 14 muaj e që përfundoi me dhjetëra të arrestuar në aksionin e shtatorit të vitit të kaluar.

Në këtë hetim u përfshinë institucione të shumta, ndër to edhe Inspektorati Policor i Kosovës pasi që dyshimet ishin se në mundësim të kontrabandës e zhvillimit të lojërave të fatit pati të implikuar edhe zyrtarë policorë.

Aksioni i 18 shtatorit në Karaçevë rezultoi me mbi 50 të arrestuar, 12 nga ta zyrtarë policorë, 13 objekte të rrënuara e kafshë të sekuestruara të cilat ishin kontrabanduar përmes rrugëve ilegale e që vinin nga Serbia.

Veprimtaria e lojërave të fatit po zhvillohej shumë pak kilometra nga pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Për zonën ku zhvillohej bixhozi fillimisht u tha se nuk ka mbikëqyrje institucionale dhe se është zonë e paprekshme.

14 muaj hetim për të vërtetuar veprimtarinë ilegale të personave të involvuar dhe hetimi pas arrestimit sot ka përfunduar me aktakuzë ndaj 73 personave.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.L., H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.Th., S.G., S.N.,  Z.A., N.S., dhe F.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale – kontrabandim me mallra.

Po ashtu, edhe të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S., F.S., V.S., L.M., F.V., I.V., S.S., M.S., F.M. dhe B.F., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.

Edhe të pandehurit E.K., F.S., R.S., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., A.Th., F.K. dhe L.S., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.

Ndërsa, të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.Rr., A.H., H.M. dhe J.B., kanë kryer veprat penale – blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale,  dhe prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Të pandehurit B.A. dhe B.B., akuzohen për vepra penale  – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen  e veprës penale.

Të pandehurit N.L., F.L., Xh.K., A.S., A.Th., Y.F., L.G., D.H., I.K., M.L., B.G., Sh.I., M.M., Q.M., M.M, N.R., I.F., A.Th., V.B. dhe S.I., akuzohen se kanë kryer veprën penale -organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Raportimet e KALLXO.com për rastin ‘Karaçeva’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK