Human Rights Watch: Izraeli po kryen krime lufte kundër njerëzimit duke e përdorur urinë si metodë lufte në Gaza

Human Rights Watch ka akuzuar Izraelin për kryerjen e një krimi lufte duke i lënë njerëzit në uri në Rripin e Gazës, të cilët po vazhdojnë të përballen me sulme të pamëshirshme në luftën me militantët e Hamasit. “Qeveria izraelite po përdor urinë e civilëve si një metodë lufte në Rripin e Gazës së pushtuar”- ka thënë HRW në një raport.  

Të paktën 19,453 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza. 52,286 njerëz janë të plagosur. Ndërkohë, katër palestinezë janë vrarë të hënën në kampin e refugjatëve Faraa, në jug të qytetit të Tubas në Bregun Perëndimor, në një sulm ushtarak izraelit, thotë përmes një njoftimit të bërë ministria palestineze e shëndetësisë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot, e martë për ta peshuar një thirrje për një armëpushim në Gaza pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një përpjekjeje të mëparshme për një armëpushim. Votimi u shty për t’u dhënë më shumë kohë diplomatëve për t’i përmbushur kundërshtimet e SHBA ndaj formulimit të projekt-rezolutës. Votimi në Nju Jork është përcaktuar për të hënën. SHBA ka thënë se nuk mund ta mbështesë një referencë për një “ndërprerje të armiqësive”, por mund të pranojë një thirrje për një “pezullim të armiqësive”. Vendet arabe që e kanë negociuar tekstin thanë se janë inkurajuar të shohin shihnin se Shtëpia e Bardhë me sa duket po përpiqet të gjejëformulimin që mund t’i mbështesë – në vend që thjesht t’i vetojë rezolutat.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, ka njoftuar nismën e një operacioni shumëkombësh në Detin e Kuq pas një sërë sulmesh me raketa dhe dron nga Huthi të Jemenit. Austin, në një udhëtim në Bahrein pas bisedimeve në Tel Aviv më herët të hënën, tha se vendet pjesëmarrëse në nismën e udhëhequr nga SHBA përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar, Bahreinin, Kanadanë, Francën, Italinë, Holandën, Norvegjinë, Seychelles dhe Spanjën.

Austin ka zhvilluar bisedime me zyrtarë izraelitë, duke përfshirë kryeministrin, Benjamin Netanyahu dhe homologun e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, të hënën në Tel Aviv. Diskutimet u fokusuan në zhvendosjen e Izraelit nga operacionet ajrore dhe tokësore në shkallë të gjerë në Rripin e Gazës në një fazë të re të luftës, e fokusuar në shënjestrimin e saktë të liderëve të Hamasit, ka deklaruar një zyrtar amerikan.

Sekretari amerikan i mbrojtjes ka thënë se Uashingtoni ende nuk e ka vendosur një plan kohor pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim. “Ky është operacioni i Izraelit. Unë nuk jam këtu për të diktuar afate kohore ose terma”- ka thënë Austin.

Sipas raportimeve, forcat izraelite kanë detyruar civilët palestinezë të zhvendosur të strehuar në Spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës për ta evakuuar objektin dhe kanë arrestuar stafin mjekësor. Richard Sewell, dekani i Kolegjit St George’s të drejtuar nga anglikanët në Jerusalem, tha se shumica e stafit të spitalit janë ndaluar, ndërsa burimet mjekësore i thanë Al Jazeera se spitali tani ishte jashtë shërbimit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala