Ministria e Financave

Hulumtimi i Kallxo Përnime për dyshimet për mashtrime ndaj pensionistëve, deklarohet Ministria e Financave

Ministria e Financave ka reaguar në lidhje me dyshimet për mashtrime ndaj pensionistëve në Kosovë, pak ditë pas publikimit të hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime.

Ministria ka kërkuar nga pensionistët që të jenë të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që po qarkullojnë, e që sipas tyre, kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë.

Sipas ministrisë, kjo mund të jetë skemë mashtruese apo edhe tendencë për të keqpërdorur të dhënat personale.

“Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare” – thuhet në reagimin e ministrisë, të cilët e kanë shpërndarë njoftimin e Policisë për hetimet në këtë rast.

Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë së Shtetit është duke hetuar dyshimet për mashtrime ndaj pensionistëve në Kosovë, pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime.

Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se njësitet relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrime.

Më 24.05.2024 në emisionin Kallxo Përnime është publikuar hulumtimi në të cilin tregohet se si pensionistëve në komunën e Malishevës po u kërkohet të paguajnë nga 3 euro në emër të “anëtarësimit” në një shoqatë pensionale dhe me premtimin për t’u bërë pjesë e procedurave ligjore për të paditur Qeverinë e Kosovës, për kompensim në pensione.

Ka rreth dy muaj që pensionistë nga gjithë Kosova janë organizuar për të paditur Qeverinë e Kosovës, përmes të cilës padi po kërkojnë kompensim në pensione për shkak të inflacionit në tre vitet e fundit, si dhe rritje të pensionit duke u bazuar në Ligjin për Skemat Pensionale.

Por hulumtimi i publikuar në Kallxo Përnime dëshmon se në Malishevë pensionistët janë kushtëzuar në atë formë që të bëhen e betejës ligjore, të anëtarësohen në shoqatë dhe të paguajnë nga 3 euro.

Hulumtimi po ashtu dëshmon se pensionistët gjatë aplikimit dhe pagesës, nuk e dinin për çka janë duke aplikuar, ndërsa shpresa e tyre ishte se “do të merrnin shtesa prej Qeverisë në vlerë 500 euro”.

Pas publikimit të këtij hulumtimi, Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, përmes të  cilës ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorisë së Shtetit është duke hetuar dyshimet për mashtrime ndaj pensionistëve.

Në debatin e Kallxo Përnime të datës 24.05.2024, Ministria e Financave nuk kishte dërguar asnjë përfaqësues, edhe pse kishte pasur ftesë, për të sqaruar këto dyshime.