Hulumtimi i Kallxo Përnime për pensionistët, Prokuroria po heton dyshimet për mashtrime
Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë së Shtetit është duke hetuar dyshimet për mashtrime ndaj pensionistëve në Kosovë, pas hulumtimit të emisionit Kallxo Përnime.
Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se njësitet relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrime.
“Policia e Kosovës, me datë 13 maj 2024 ka pranuar autorizim nga Prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës. Bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së” – thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Më 24.05.2024 në emisionin Kallxo Përnime është publikuar hulumtimin në të cilin tregohet se si pensionistëve në komunën e Malishevës po u kërkohet të paguajnë nga 3 euro në emër të “anëtarësimit” në një shoqatë pensionale dhe me premtimin për t’u bërë pjesë e procedurave ligjore për të paditur Qeverinë e Kosovës, për kompensim në pensione.
Ka rreth dy muaj që pensionistë nga gjithë Kosova janë organizuar për të paditur Qeverinë e Kosovës, përmes të cilës padi po kërkojnë kompensim në pensione për shkak të inflacionit në tre vitet e fundit, si dhe rritje të pensionit duke u bazuar në Ligjin për Skemat Pensionale.
Por hulumtimi i publikuar në Kallxo Përnime dëshmon se në Malishevë pensionistët janë kushtëzuar në atë formë që të bëhen e betejës ligjore, të anëtarësohen në shoqatë dhe të paguajnë nga 3 euro.
Hulumtimi po ashtu dëshmon se pensionistët gjatë aplikimit dhe pagesës, nuk e dinin për çka janë duke aplikuar, ndërsa shpresa e tyre ishte se “do të merrnin shtesa prej Qeverisë në vlerë 500 euro”.